Kulture

Prek trashëgiminë ,shpella e Spilesë në Himarë

Shpella e Spilesë

Statusi i objektit: Shpella e Spilesë në Himarë është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës me urdhëresë nr. 6, datë 15.01.1963 dhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës me vendim nr.1886, datë10.06.1973.

Viti/koha e ndërtimit: Periudhat prehistorike të Mezolitit dhe Eneolitit.

Vendndodhja: Qyteti i Himarës, Bashkia Himarë.

Përshkrimi: Shpella e Spilesë ndodhet në qytetin e Himarës, në gjirin me të njëjtin emër. Shpella ka përmasa të brendshme 7.40 x 28 m dhe një hyrje 8.50 m të gjerë. Ajo është gërmuar për herë të parë në vitin 1939 nga arkeologu italian L. Cardini dhe u zbuluan materiale arkeologjike, të cilat dëshmonin se ajo ka qenë e banuar qysh në periudhën eneolitike dhe gjatë periudhave antike e mesjetare. Shpella u rigërmua në vitet 2002-2003 nga një projekt shqiptaro-anglez i drejtuar nga arkeologët I. Gjipali, K. D. Frencis dhe D. J. Beskoni. Nga ky gërmimi u zbuluan materiale që e datojnë atë si vendbanim i përdorur që në periudhën mezolitike, por u përftuan gjithashtu informacione me rëndësi për historinë e formimit të gjirit të Himarës, për fillimet e depoztimeve në shpellë, për florën dhe faunën e mjedisit, për praninë e më shumë shtresave kulturore, datime relative e absolute nëpërmjet analizave të C14, të cilat mund të shërbejnë si pikë referimi për periudhat prehistorike të territorit të bregdetit Jonë dhe më gjerë. Shpella nuk ka shërbyer si vendbanim i përhershëm sepse nuk u gjetën mbetje të strukturave të qëndrueshme, por si një vend i përdorur për periudha të shkurtra. Qeramika e importuar e periudhës antike, dëshmon se Himara ka pasur kontakte me qendra të rëndësishme të mesdheut.
Në fazën e ardhshme të rikualifikimit urban të qytetit të Himarës, Shpella e Spilesë do të integrohet në hapësirën urbane të qendrës së Himarës me të gjitha vlerat e saj arkeologjike, historike dhe natyrore, si një monument i vizitueshëm nga të gjithë.

Bibliografia: K. Francis, I. Gjipali., Explorations in Albania, 1930-1939, Luigi Cardini, in Relocating Luigi Cardini’s caves : New surveys in southwestern Albania, 2005 f. 193- 203; I. Gjipali., Kërkime arkeologjike në bregdetin Jonian, Himara në Shekuj, A.SH.E.SH, 2006 f. 49-50; K.D. Francis, D.J. Bescony and I. Gjipali., A Preliminary Investigation of Tow Prehictoric Cave Sites in Southern Albania, The Annual of the British School at Athens, Vol 104, November 2009, f. 9-26.

Funksioni: Vendbanim prehistorik, monument kulture.

Hyrja: Pa biletë

Itinerari: Shpella e Spilesë ndodhet buzë rrugës, pranë shëtitotres së Himarës dhe drejt saj mund të shkohet me çdo mjet transporti.

Pozicioni në Google Map:
https://goo.gl/maps/yZPUwYKbDcn

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close