Kulture

Vlora, mes mrekullive, legjendës dhe historisë

Vlorës i jetojmë përditshmërinë, por qyteti mban brenda tij mrekullinë natyrore, turizmin kulturor, legjendën; këto të fundit ndoshta jo gjithkush i njeh. Krenohemi me kaltërsinë e plazhit, i gëzohemi perëndimit që thyen ngjyrat mbi det, shijojmë zhurmën e dallgëve, por historia e asaj që na rrethon tejkalon panoramën që kap syri.

Në një bisedë me studiuesin prof. Bardhosh Gaçe, duke evidentuar numrin e lartë të turistëve qe vijnë në Mesdhe, ai shton se interesi i tyre është për të vizituar qendrat e mëdha të antikitetit që ka Mesdheu dhe botën etnokulturore. Sipas tij, bregdeti i Vlorës ka jo pak elemente të tilla që do të tërhiqnin këdo nëse do të kishte pak më tepër orientim, pasi në Vlorë nuk bëhet vetëm plazh. Ai fsheh shumë më tepër sesa aq; historinë dhe legjendën.

Për këto dy të fundit kemi propozuar disa zona të mrekullueshme që ndodhen në Vlorë dhe rrethinat e saj. Ndërmjet legjendës dhe reales Ka disa vende në Vlorë, të cilat jo vetëm dallohen për veçantinë e tyre, por mbartin edhe copëza “historie”.

Pas Sarisalltëkut në qytetin e Krujës, e dyta qendër botërore bektashiane në Shqipëri, njihet Kuzum Babaja. Dhe e treta, maja e çukës ku prehet Abaz Aliu në Tomorr. Legjenda thotë se çoban Babai erdhi nga viset e largëta në mesjetë për të përhapur bektashizmin në Shqipëri.

Dhe nuk e besonin që ishte shenjtor. Madje banorët e Vlorës e përgjakën, pasi nuk besuan që ishte i tillë. Dhe ai, që ta besonin se ishte shenjtor dhe mbronte qytetin nga të këqijat, nga sëmundjet, nga epidemitë, preu kokën e tij, e mori në dorë dhe u ngjit 147 hapa mbi qytet. Në kodër.

Dhe që atëherë Kuzum Baba-ja u bë një nga vendet e pelegrinazhit që njihet dhe në 1460-n apo 1510-n në dokumentet turke. E përshkruan dhe një nga dijetarët më të mëdhenj, çelebiu i Turqisë. Sot kjo qendër është e rikonstuktuar dhe është një qendër fetare, e cila ka vlera të mirëfillta.

Shpella e Haxhi Aliut Po këtë udhëtim ka bërë dhe Haxhi Bektash Veliu, i cili duke qenë në Krujë, gjatë udhëtimit në Shqipëri, qëndroi disa kohë në Shpellën e Karaburunit.  Dhe atje, deri në fillim të shekullit tonë, thuhej shpella e Haxhi Bektash Veliut i cili ishte misionar i madh.

Por në fund të shekullit XIX, kapedani i detit, ulqinakasi Haxhi Ali Ulqinaku, me tartanët e tij, që kishte qenë kryekomandant i flotës turke të Mesdheut, erdhi u vendos në Karaburun dhe mbronte brigjet shqiptare nga sulmet që bënin venecianët, saraçenët nga Malta dhe Egjipti, spanjollët, anglezët dhe francezët.

Dhe u bë 22 vjet mbrojtësi i këtyre brigjeve. Në luftë me venedikasit ai u vra dhe varri i tij thuhet se është në det. Anijet kur kalonin i binin sirenave dhe hidhnin bukë e vaj për shpirtin e tij në det. Këtë zakon e vijojnë dhe disa nga banorët e Dukatit, në zonën e Ravenës, ku kanë bagëtitë që jetojnë atje.

Cdo mëngjes gushti hedhin bukë e vaj në det për shpirt të Haxhi Alisë. Në Karaburun ku ai jetoi ndodhet shpella me emrin e tij. Kjo shpellë është mjaft interesante, një nga resurset natyrore më tërheqëse të gadishullit tonë. Jonufri Në brigjet e Vlorës, pranë Ujit të Ftohtë, është një vend që quhet Jonufër.

Sigurisht njerëzit e kanë konceptuar që vjen është përkufizuar i tillë, nga emri Jon. Por, nëse gërmohet pak më thellë në dokumentet e shekullit XVI-XVII, aty ka qenë piktori i madh Onufri nga Berati, ishte dhe kisha e Onufrit, në rrëzë të shkëmbinjve. Ku është ndërtuar monumeti i Aksionistes, ka qenë kisha e tij.

Sot në të ndodhen vetëm rrënojat, ndërsa po të gërmohet, mund të zbulohen themelet. Atje Onufri punonte ikona për 40 shtete të Evropës. Ai kishte 9 ndihmës. Shumë interesante për këtë janë dokumentet e Vatikanit, që japin kronikën se Peshkopi i Durrësit iu lut piktorit Onufër që të bëhej kryeprifti i gjithë kishave të Himarës.

Pra, nga Vlora deri në Sarandë. Dhe në dokumentet e Vatikanit është betimi i tij dhe pagëzimi prej peshkopit të Durrësit në detyrën e kryepriftit.

Madje, po të shohim të gjitha pikturat murale që janë bërë në zonën e kishave të Himarës, është dora e Onufrit dhe ndihmësve të tij, një pasuri kjo e madhe kulturore. Manastiret Manastiri i parë që gjendet në dokumente është manastiri i Kaninës, Manastiri i Kllogjërit. Ndodhet 300 metra mbi fshat, pranë një kroi shumë të bukur.

Nga manastiri kanë mbetur rrënojat. Siç thuhet, ky manastir u dogj në vitin 1880 nga rrufeja. Në të ndodheshin rreth 150 murgjër, të cilët qëndronin aty për të mësuar. Ka pasur dhe bibliotekë.

Murgjit mësonin për kurimin e sëmundjeve të lëkurës. Pas këtij manastiri shfaqet ai i Marmiroit, në Orikum. Por thuhej që në këtë manastir vinin edhe nga vende të Evropës. Më tepër vinin gratë që nuk lindnin fëmijë. Sot është kisha, janë krojet, vendet ku rrinin njerëzit. Dhe kjo është pranë qendrës së madhe arkeologjike të Orikumit, qytetit të Orikut.

Marmiroi do të thotë “Ujë jetëdhënës” dhe njerëzit e besonin këtë. Nga uji që del aty nga burimet, pinin ujë dhe kështu bekoheshin nga Zoti, siç e besonin. Dhe ka ndodhur në shumë raste që njerëzit rrinin 15 ditë aty me pushime në pritje të shëndetit të mirë.

Deri në 1905-n ka shënime të kronikanëve të ndryshëm që ky vend shfrytëzohej si i tillë. Pas tij përmendet manastiri i Zvërnecit. Në Zvërnec një nga shenjtorët në hyrje ka një plagë në dorë. Kjo plagë dëshmon se ai ka shërbyer si shkollë në përgatitjen e “mjekëve” për sëmundjet e lëkurës.

Por manastiri i Zvërnecit ka dhe vlera historike, sepse aty është varri i Marigo Pozios. Vetë Marigoja e kishte lënë amanet të varrosej në atë manastir, që t’i gjente prehje shpirti. Dhe atdhetarët vlonjatë në ’37-n e varrosën aty. Qetësia midis pishave, bredhave dhe selvive është e mahnitshme.

Dhe shumë njerëz venë për t’u kuruar e gjetur qetësi shpirtërore në këtë manastir. Sepse në këtë manastir ndodheshin edhe zërat e natës. Zërat e natës sipas besimit popullor u hiqnin shqetësimet njerëzve, brengat, dhimbjet ndaj disa njerëz zgjidhnin të bënin pushimet në këto vende. Në fakt, në Shqipër ka disa vende të tilla.

Shpellat Në pasuritë e Vlorës përfshihen edhe disa shpella, si: shpella e shkruar e Lepenicës, apo Grama me mbishkrimet historike, por ka dhe disa shpella me stalaktike dhe stalakmite, siç është Shpella e Duk Gjonit, dhe Selman Aliut në Dukat.

Por shpella më interesante në brigjet shqiptare, është shpella e Spilesë në Himarë, ku sipas veprave “Iliada” dhe “Odisea”, në këtë shpellë është ndeshur Ciklopi me Odisenë. Ka mjaft autorë antikë që e përmendin një fakt të tillë.

Deri edhe De Rada në studimin e tij e përmend Shpellën e Spilesë së Himarës për ndeshjen e Ciklopit me Odisenë. Kjo shpellë përmendet edhe nga Virgjili, tek “Eneida”. Grama Grama është një bibliotekë guri. “Biblioteka në gur” është brenda një gjirit të vogël buzë detit Jon, në jugperëndim të gadishullit të Karaburunit.

Nëpër shkëmbinjtë e këtij gjiri gjenden mbishkrime të gdhendura e vizatime të kohëve të hershme e të mesjetës. Duhet përmendur që këtë vend e ka eksploruar Moikom Zeqo.

Përpara Moikom Zeqos këtë vend e ka eksploruar studiuesi i madh Ugolini. Më pas studiues që kanë zbërthyer mbishkrimet kanë zbuluar se i përkasin shekullit IV-IIV para erës sonë. Ka lutje të njerëzve ndaj perëndive për t’u mbrojtur nga furtunat e detit.

Në gji ankoroheshin anije nga furtunat, nga sulmet që ndodhnin. Por aty janë marrë dhe gurë për ndërtimin e Durrahut, pasi Grama asokohe ka shërbyer edhe si gurore. Ka dhe emra skllevërish, ilirësh të cilët kanë punuar dhe kanë vënë emrat në to.

Por është edhe një perandor që ka udhëtuar nga Kostandinopoja për në Romë. Ka lënë mbishkrimin e tij duke treguar se si e zuri furtuna dhe si u strehua aty. Të gjitha këto mbishkrime janë mjaft interesante dhe janë një pasuri mjaft e madhe që tregon jetën e banorëve të asaj zone në atë kohë. Karaburuni Zona e Karaburunit ka pasur 12 fshatra.

Njerëzit më pas kanë emigruar në Itali, në vende si Kalabria e Siçilia. Pas vitit 1480, kur sulltan Sulejmani rrafshoi Labërinë, rrafshoi fshatra të tëra dhe aty. Shekspiri kur ka shkruar për shitjen e skllevërve në Venedik, e thotë se janë nga malet Akrokeraune (malet e Vetëtimave), ku shkrepin rrufetë.

Rezulton se deri në shekullin XVII-XVIII në gadishull ka pasur banorë, të cilët më pas emigruan në Itali. Gjiret në Karaburun janë të mahnitshme. Sazani A mund te kuptohet perendimi i Vlores pa Sazanin? Si do te ishte nje xhiro ne bregdet pa shoqerine e tij? Ndoshta edhe karakteri i qytetit, apo i vetë vlonjatit nuk do te kuptohej pa Sazanin.

Por siç Vlora ka historine e saj edhe ishulli mbart pjeseza historie mbi supe. Mësohet se ky ishull ka qenë i banuar që në Antikitet. Në kohën e Bizantit quhej fshati Shën Koll dhe në kohën e Turqisë quhej fshati Sebep.

Aty dikur ndodhej edhe kisha e Shën Kollit. Banoret ishin thuajse detaré e bënin udhëtime me mjetet e drurit nga Gjibraltari deri në Dubrovnik. Në vitin 1870 fshati Sebep numëronte rreth 47 -50 shtëpi.

Ky fshat ishte edhe origjina e hershme e rilindasit te shquar vlonjat Ibrahim Abdullahu (familja e vjeter Nota). Banorët e tij ishin detarë të zotë; në vitin 1802 kishin disa anije dhe mbanin lidhje tregtare me Vlorën, Himarën, Ulqinin, Maltën, Italinë etj.

Në fillim të shekullit XIX, Ali Pashë Tepelena për të ushtruar pushtetin e vet në ishull ndeshi në rezistencën e banorëve, nga të cilët Papa Dhimitri me Papa Petron e me përfaqësues nga fshati shkuan në Berat dhe i kërkuan ndihmë Sanxhakbeut Ibrahim Pashës.

Qëndresa e fshatit Sebep zgjati 5-6 muaj, por zemërimi i Pashait të Janinës bëri të rrafshonte fshatin. Banorët e fshatit Sebep gjetën strehim në lagjet e Vlorës apo manastirin e Zvërnecit.

Ndoshta një ditë ishulli do të zhurmojë sërish, pse jo me banorë, apo operatorë turizmi, për të qenë një zonë e frekuentuar dhe ofruar bukuritë e tij jo thjesht në një vizitë disa orëshe, por në përditshmërinë e tij. Nga Gazetarja Anila Peci.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: