Shqipëria është e brishtë për një kampione bote si Franca. “Gjelat” masakruan “shqiponjat” në “Stade de France”, teksa i mposhti 4-1 në takimin e pestë eliminator të kualifikueseve të Euro 2020.
Një superskuadër e dirigjuar nga Didier Deschamps e cila dominoi që prej minutës së parë ndaj kuqezinjve të Edi Rejës, që ishin futur në fushë pa busull. Takimi nisi me një skandal të organizatorëve, ku himni i Andorrës u vendos në sfond për tu kënduar nga lojtarët e kombëtares kuqezi. Një situatë që mori zgjidhje pak minuta më vonë, me spikerin e stadiumit që kërkoi ndjesë për ngatërresën.
Por, duket se kjo situatë ndikoi negativisht te kuqezinjtë, që u gjendën në disavantazh të një goli ende pa u kronometruar minuta e tretë. Coman gjeti hapësira në majtë të mbrojtes sonë dhe me të majtën mposhti Strakoshën.
Pësimi i golit tronditi akoma dhe më shumë skuadrën tonë, që pësoi sërish. Tashmë ishte Giroud, i cili u gjend i vetëm përballë gardianit të Lazios dhe me të majtën dërgoi sferën në njërin krah dhe Strakoshën në tjetrin.
Ende pa u mbyllur pjesa e parë Francë fitoi një penallti, ekzekutimin e së cilës e mori përsipër Griezmann. Gjithsesi, ylli i Barcelonës nuk u tregua i saktë nga 11 metra larg dhe traversa i erdh në ndihmë kuqezinjve. Gjithsesi, me rikthimin në fushë, ishte sërish Coman ai që gjeti fundin e rrjetës.
Për të plotësuar pokerin mendoi Ikone, i cili i mori vendin Coman dhe debutoi me gol në kombëtaren A. Goli i nderit erdhi nga këmbët e të sapo futurit në lojë, Sokol Cikalleshi. Kavajasi fitoi një penallti të cilën e shndërroi në gol dhe vulosi rezultatin përfundimtar në 4-1.
Pas kësaj fitoreje, Franca ngjitet në kuotën e 12 pikë pas 5 takimeve, duke marrë kreun e grupit H. Ndërkohë, Shqipëria gjendet e 4 me 6 pikë. Në takimin e ardhshëm, atë të 10 shtatorit, kuqezinjtë presin në “Elbasan Arena” Islandën, teksa Franca pret Andorrën.
Fitore arriti dhe Turqia, që mposhti 1-0 Andorrën, ndërkohë që në grupin B, Portugalia mposhti 4-2 në transfertë Serbinë.
“Live” te gjithë rastet dhe momentet pikante të ndeshjes
89’Shqipëria mendon të reagojë, Cikalleshi ngushton shifrat
85′ Ikone debuton me gol. I shënon Shqipërisë dhe 4-0.
83′ Tjetër lëvizje të Franca. Gjelat hedhin në fushë Fekir, del jashtë Lemar
77′ Xhaka shkel me taka këmbën e Pavard, ndëshkohet me karton të verdhë
75′ Coman i lë vendin Ikone, 21 vjeçari debuton me kombëtaren franceze
67′ Shthuret Shqipëria, Coman plotëson dopietën
65′ Ndërhyrje horror ndaj Matuidi, Klaus Gjasula ndëshkohet me karton të verdhë.
60′ Tjetër zëvendësim te Shqipëria. Bekim Balaj i lë vendin Sokol Cikalleshit.
55′ Kombinime perfekte mes Lemar, Griezmann dhe Giroud. Ky i fundit sherben per Griezmann, i cili godet por ndalet nga Strakosha. Kendore per Francen.
53′ Zëvendësim te Shqipëria. Gjasula merr vendin e Ramadanit.
46′ Nis pjesa e dytë
Mbyllet pjesa e parë: Është mbyllur në rezultatin 2-0 në favor të Francës pjesa e parë në ‘Stade de France’ e takimit mes kampionëve të Botës në fuqi dhe Shqipërisë.
Një 45 minutësh që i dhuroi të gjitha, me “gjelat” që morën frenat e lojës që në minutat e para të takimit. Ishte Coman ai që pas 3 minutash lojë gjeti rrugën e rrjetës, pasi i shpëtoi mbulimit të Odise Roshit.
Pak minuta më pas, Hernandez përfitoi nga një gabim i Islamajli për të shërbyer për Giroud, i cili i vetëm përballë Strakoshës nuk gaboi.
Megjithatë, një gjë të tillë nuk e bëri Antoine Griezmann, me yllin e Barcelonës që humbi një penallti. Goditja e tij mposhti Strakoshën, por sfera u ndal në traversë duke mbajtur në lojë kuqezinjtë e Edi Rejës.
45′ Akordohet një minut shtesë
35′ Akordohet penallti për Francën. Griezmann pranë topit. Niset sulmuesi, por sfera ndalet në traversë.
27′ Kundërsulm vrasës i Francës. Giroud i vetëm para Strakoshës realizon për 2-0.
3′ Franca godet shumë shpejt, Coman “thyen” mbrojtjen kuqezi
1′ Nis takimi në “Stade de France”, France-Shqipëri
Takimi nis me gabim trashanik në kryeqytetin francez. Ngatërrohet himni i Shqipërisë.
Lexoni këtu: http://oranews.tv/article/gabim-trashanik-ne-kryeqytetin-francez-ngaterrohet-himni-i-shqiperise
Kombëtarja kuqezi vjen optimiste në këtë takim, pas fitores së arritur në “Elbasan Arena” ndaj Moldavisë me shifrat 2-0.
Ndërkohë, Franca vuan mungesën e lojtarëve kyç gjatë edicionit të fundit të Kupës së Botës, trofe të cilin e fitoi në fund të kompeticionit. Kylian Mbappe, Paul Pogba dhe Kante janë vetëm disa nga emrat që Didier Deschamps nuk do të ketë në dispozicion për këtë duel.
Formacionet zyrtare:
Franca: Lloris, Pavard, Varane, Lenglet, Hernandez, Tolisso, Matuidi, Lemar, Griezmann, Coman, Giroud
Shqipëria: Strakosha, Ismajli, Mavraj, Djimsiti, Hysaj, Ramadani, Abrashi, Roshi, Bare, Uzuni, Balaj
/Ora News.tv/