Kuvendi në seancën plenare të ditës së sotme ka rrëzuar dy dekrete të Presidentit Meta. Dekreti për buxhetin dhe Dekreti për Metrologjinë nuk gjetën miratimin e deputetëve të mazhorancës në parlament. Presidenti Meta përmes argumentave në dekret theksonte se buxheti aktual nuk pasqyron realisht situatën ekonomike dhe nuk përmbush pritshmeritë, lidhur me rimëkëmbjen ekonomike apo edhe masat për të luftuar Covid, gjë e cila nuk u mor parasysh nga mazhoranca qeveritare.
Gjithashtu dhe në dekretin e Metrologjisë Meta shprehej se ligji krijon hapësira për të zhvilluar praktika korruptive që janë në dëm të qytetarëve, pasi edhe pse ka për objekt kontrollimin ndaj pompave të gazit dhe të naftës, në pikat e karburanteve, mund të kryhet nga privati pa një procedurë të qartë dhe të mirëpërcaktuar ligjore të përgjegjësisë, edhe këto argumenta nuk u morën parasysh nga ligjvënësit në Kuvend.
Rrëzimin e dekretit për Metrologjinë e paralajmëroi më herët edhe ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për integrim Petrit Vasili, i cili përmes një konference për media deklaroi se ky është një veprim abuziv, pa asnjë konkurrim dhe asnjë kriter ligjor i jep interesat e mijërave shqiptarëve një drejtori të vetëm Rilindas.
“Dhe ju e kuptoni fare mirë sesa një subjekt privat është i interesuar që të kontrollojë veten e tij, kur shteti vetë nuk ka qenë në lartësinë e detyrës. Mendoni se çfarë situate kaotike, konfuzioni, në dëm të qytetarëve, por në interes të xhepit të atyre që janë përfitues. Përmes këtij ligji një shërbim shtetëror jetik, pa asnjë konkurrim, pa kritere ligjore, pa asnjë studim fizibiliteti, pa asnjë studim ekonomik, pa asnjë studim social e mjedisor, vetëm me një vendim të një drejtori rilindas, mund t’i jepet lehtësisht për autorizim një privati. Pra do të thotë, interesat e qindra mijëra shqiptarëve i ka një drejtor, i cili i interpreton si të dojë, pa ligj e pa kritere, apo me ca kritere që u bien përsipër e nuk janë konkrete, ja jep atij klientit që është klient qeverie, e kënaq e gëzon, e të gjithë kostot bien mbi xhepin e shqiptarëve, që dhe kështu po plaçkiten jo pak.
Dhënia me koncesion të një subjekti privat dhe në mënyrë të pakontrolluar të një shërbimi shtetëror e dëmton qartë interesin publik, cenon interesat e shtetit dhe të konsumatorëve, por cenon dhe financat publike, dhe krijon një shteg shumë të qartë dhe të hapur për abuzim me të drejtat e konsumatorit. E për më tepër prodhon kosto shtesë për një shërbim që do të kryhej nga shteti. Pra shqiptarët nuk kanë taksirat të paguajnë para të tjera, që edhe do të vidhen. Një dyfish maskarallëk në dispozicion të tyre”, tha nënkryetari i LSI.
