Pas ratifikimit në parlamentin grek të ‘Marrëveshjes së Prespës’ me 153 vota pro dhe 146 kundër dhe një abstenim ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta.
“Miratimi i Marrëveshjes së Prespës edhe nga Parlamenti grek është një lajm i shkëlqyer për marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe për perspektivën europiane dhe euro-atlantike të rajonit tonë! Përgëzime për këtë arritje historike!”- shkruan Meta.
Sipas marrëveshjes, Republika e Maqedonisë e ndryshon emrin në “Republika e Maqedonisë Veriore”, ndërsa Greqia zotohet të heqë veton për pranimin e vendit në NATO.
Ndërkohë që në Kuvend ka pasur akuza të forta nga Agimi i Artë në drejtim të deputetëve që votuan pro, të cilët i kanë quajtur tradhtarë.
Jashtë Kuvendit janë zhvilluar protesta të shumta nga ana e qytetarëve, të cilët e kanë kundërshtuar marrëveshjen.
