Lajme

Bëhuni gati! Shqiptarët do paguajnë 186 miliardë lekë taksa për PPP e Ramës

Kontratat koncesionare të rrugëve do t’i kushtojnë taksapaguesve në tre vitet e ardhshme plot 186 miliardë lekë ose 18.6 miliardë (lekë të reja).

Kjo nënkupton se në ditët e ardhshme pritet një valë e fortë e rritjes drastike të taksave të shqiptarëve që do të shkojnë në duart e 9 oligarkëve të Ramës.

Katër segmente rrugësh të reja dhe një kontratë mirëmbajtjeje të dhëna me koncesion deri tani pritet t’i kushtojnë taksapaguesve 153.8 miliardë lekë gjatë trembëdhjetë viteve të ardhëshme dhe këto janë vetëm një pjesë e kontratave të shumta koncesionare të nënshkruara nga qeveria e shkuar dhe ajo aktuale.

Lista e investimeve publike të publikuar nga Ministria e Financave rendit kontratat koncesionare sipas kostos që ka secila vit pas viti dhe sipas kostos totale. Shifrat e dhëna nga kjo ministri përfshijnë koston e ndërtimit si dhe interesin financiar të paguar, i cili duket se nuk përfshihet në koston e tenderuar dhe të njohur më parë.

Interesi që pritet të pagohet për këto kontrata është mbajtur gjysmë i fshehtë dhe dhe asnjë nga zyrtarët e qeverisë nuk ka marrë mundimin ta shpjegojë siç duhet.

Kontrata e parë në listë lidhet me mirëmbajtjen e rrugës Milot-Morinë. Kjo kontratë financohet nga njëra anë nga përdoruesit e rrugës përmes tarifave dhe nga ana tjetër, nga taksapaguesit përmes dy zërave, njëri i njohur si “subvencionim” dhe tjetri i njohur si “defektet e fshehura të kontratës koncesionare”. Për të dyja zërat, taksapaguesit do të paguajnë përgjatë viteve 9.1 miliardë lekë ose 73 milionë euro sipas kursit aktual të këmbimit. Këto janë veçmas të ardhurave të koncesionarit nga tarifat e rrugës.

Kontrata e dytë në listë është ajo e ndërtimit të 50 kilometrave rrugë që do të lidhë Tiranën me Dibrën. Ndërtimi i rrugës së Arbrit sipas rezultatit të tenderit të qeverisë kushton 40.3 miliardë lekë ose 320 milionë euro. Shqiptarët do të fillojnë të paguajnë 2.5 miliardë lekë në vit duke filluar nga viti 2019.

Kontrata e tretë është ndërtimi i 21 kilometrave autostradë nga Vora në Kashar, për të cilën është parashikuar se do t’i kushtojë taksapaguesve 54.4 miliardë lekë (435 milionë euro). Me një kosto prej 20 milionë eurosh për kilometër ose 20 mijë euro për metër linearë, kjo është një kosto e krahasueshme me koston e ndërtimeve të tuneleve më të vështira kudo nëpër planet.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close