Categories Lajme

Dhe bota dridhet për çdo ditë nga pak: çfarë na solli dhe çfarë na mësoi viti 2019?

Përtej grindjeve të përditshme të politikës shqiptare, ekziston edhe një botë tjetër, ajo bota e madhe nga e cila jemi të varur të gjithë – në mënyra të ndryshme. Kur në Siri një qytet është në rrezik nga zhbërja, befas pasojat i shohin edhe njerëzit në viset shqiptare: aty-këtu bien në sy refugjatë, të cilët kalojnë nëpër të ashtuquajturën rrugën ballkanike dhe cak kryesor e kanë Europën Perëndimore. Kështu edhe shqiptarët po e njohin globalizimin – ndonëse nga një anë e errët, e konflikteve dhe dhimbjeve. Për çka do të mbahet në mend viti 2019? Sivjet Vladimir Putini ia siguroi pushtetin edhe për një kohë diktatorit në Damask. Donald Trumpi i tërhoqi trupat nga Siria veriore dhe i la vetëm kurdët, aleatët më të zellshëm në luftë kundër «Shtetit Islamik». Më 2017 forcat kurde dhe amerikane së bashku çliruan Rakën, «kryeqytetin» e «Shtetit Islamik». Tani kurdët gjenden mes forcave të Bashar al-Asadit, trupave ruse e turke dhe terroristëve të mbetur të «Shtetit Islamik».

Në Britaninë e Madhe klouni i mençur Boris Johnson u bë kryeministër, pastaj, para pak ditësh, korri një fitore të madhe elektorale, e majta pësoi një humbje të rëndë dhe me miratimin e ligjit për Brexit, për daljen nga BE, duket se më 31 janar 2020, në mesnatë, do të ekzekutohet vendimi për divorcin mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian. Për demokracinë amerikane viti 2019 ishte dramatik. Për herë të tretë në historinë e Amerikës një president u akuzua për keqpërdorim të pushtetit. Shpjeguar shkurt Donald Trumpi foli në telefon me presidentin e Ukrainës, të cilin e luti të ndikojë që drejtësia në Kiev të fillojë hetime kundër Joe Bidenit, politikanit prominent demokrat, i cili ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020. Një president amerikan kërkon nga një shtet i huaj të hetojë një rival të brendshëm politik: kjo sjellje domosdo duhej të çonte Trumpin në procedurë shkarkimi, por gjasat që kjo të  ndodhë janë minimale, sepse në Senat, aty ku republikanët kanë shumicën, mbrojtësit e Trumpit do të bllokojnë çdo nismë.

Sivjet dy mediat gjermane («Süddeutsche Zeitung» dhe «Der Spiegel») e rrëzuan qeverinë e Austrisë. Këto media publikuan një incizim, ku dy politikanë popullistë dhe djathtistë të Austrisë në një vilë në Ibiza të Spanjës po i bënin oferta potencialisht korruptive një gruaje, e cila u prezantua si vajza e një oligarku rus. Goditjen e dytë popullizmi i djathtë e pësoi në Itali: Matteo Salvini, ministri i Brendshëm, e humbi tani për tani betejën për të marrë pushtetin – një qeveri e qendrës së majtë po e drejton Italinë, por nuk dihet sa gjatë, sepse Salvini mbetet ndër politikanët më të popullarizuar në Itali. Në Sllovaki një grua u bë presidente dhe qytetarët properëndimorë protestuan me zë të lartë për ndriçimin e rrethanave të vrasjes së gazetarit Jan Kuciak. Këto ditë në Sllovaki filloi procesi kundër të dyshuarve për vrasjen e Kuciak. Në Maltë u rrit presioni ndaj kryeministrit për të dhënë dorëheqje pas vrasjes së gazetares Daphne Caruana Galizia në vitin 2017. Kryeministri i Maltës ka premtuar se do të largohet nga posti në fillim të vitit 2020. Në Budapest kryeministri popullist Viktor Orban përjetoi një befasi të pakëndshme kur politikani i gjelbër Gergely Karacsony u bë prefekt i kryeqytetit hungarez. Në Budapest, Varshavë, Pragë dhe Bratisllavë qeverisin politikanë liberalë. Filozofi i madh gjerman Ralf Dahrendorf qysh para 16 vitesh ka shkruar se popullistët janë të paaftë të qeverisin. Ata, sipas tij, sapo të vijnë në pushtet, marrin disa vendime simbolike dhe me kaq mbaron puna e tyre. Problemet mbesin. Zgjidhja e problemeve është detyrë e politikanëve të përkushtuar dhe jo e demagogëve të shfrenuar.Një shuplakë e mori sivjet edhe Rexhep Taip Erdoani. Në zgjedhjet lokale shumica e metropoleve turke votuan kundër partisë së Erdoanit, kandidatët opozitarë fituan. Në Stamboll Erdoani u përpoq të rrëzojë rezultatin. Anuloi zgjedhjet. Në garën e përsëritur fitoi edhe më bindshëm politikani socialdemokrat Ekrem Imamollu. Ndërkohë ish-ministri i Jashtëm dhe ish-kryeministri Ahmet Dautollu ka themeluar një parti për të sfiduar Erdoanin. Në vitin 2020 pritet që të njëjtën gjë ta bëjë Ali Babaxhani, njëri prej ministrave dikur më me ndikim në qeverinë e Erdoanit.

Për herë të parë në krye të Komisionit Europian u zgjodh një grua, gjermania Ursula von der Leyen, ajo u mbështet nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili në vjeshtë i dha një intervistë revistës «Economist», ku së pari e shpalli të vdekur NATO-n, pastaj për një kohë të pacaktuar e varrosi perspektivën e hyrjes së vendeve të Ballkanit në BE. Viti 2019 ka qenë vit i protestave. Demonstratat «Fridays-for-Future» lanë gjurmë madje edhe në Prishtinë. Në shumë metropole të botës mijëra të rinj, shpesh të përkrahur edhe nga prindërit, të gjithë të inspiruar nga aktivistja suedeze Greta Thunberg, dolën në rrugë për të kërkuar jo më pak se shpëtimin e planetit.

«Gjeniu stabil» (Trumpi për veten e tij) edhe sivjet e shfrytëzoi profilin e tij në Twitter për të atakuar në shumë drejtime. Sipas një analize të «New York Times» Trump ka shkruar 11 mijë postime në Twitter prej se është bërë president. Gjysma e tyre janë sulme kundër kundërshtarëve politikë, mediave dhe institucioneve. Ndër figurat prominente që duruan shpotinë e Trumpit ishte John Boltoni, i cili u largua nga zyra si këshilltar për siguri nacionale. Në Hongkong u protestua kundër tendencave kineze për të deformuar demokracinë në këtë ish-koloni britanike, e cila tani është pjesë e Kinës, por me sistem demokratik. Protestat përfshinë Kilin, Kolumbinë, Bolivinë (atje presidenti Evo Morales u përpoq t’i vjedhë zgjedhjet dhe pastaj iku nga vendi, së pari në Meksikë, pastaj në Argjentinë). Në Zelandë të Re kryeministrja e re Jacinda Ardern dëshmoi me shembull personal se si duhet të sillet një politikane në çastet më të vështira të një shoqërie, kur një terrorist i ekstremit të djathtë vret 51 njerëz, kryesisht myslimanë.

Në vitin 2019 u bë edhe më e qartë ambicia e Kinës për ndikim global dhe agresiviteti i Partisë Komuniste në Pekin ndaj çdo kritike. Futbollisti Mesut Özil kritikoi terrorin kinez kundër pakicës myslimane të uigurëve dhe nga propaganda kineze u quajt «kandërr e ndyrë» dhe «kloun». Firma gjermane për prodhimin e veturave Daimler në vitin 2018 ra në gjunjë para pushtetarëve të Kinës, duke kërkuar falje që në kanalin e Instagramit e kishte cituar liderin e Tibetit, Dalai Lamën. Firma si Swarovski, Dior dhe Versace po ashtu i kanë kërkuar falje Kinës. Në frontin e kulturës për t’u mbajtur mend është shpërblimi me çmimin Nobel për Letërsi të shkrimtarit austriak Peter Handke, i cili në 25 vitet e fundit është shquar si propagandist i zellshëm i ultranacionalistëve serbë.

Viti 2019 ishte vit përvjetorësh. 30 vjet më parë, më 1989, ndodhën ndryshime epokale në Europë. Më 1989 ra Muri i Berlinit, filloi faza përfundimtare e heqjes antikushtetuese të autonomisë së Kosovës, minatorët e Trepçës hynë në grevë, në Cankarjev Dom të Lubjanës elita përparimtare politike dhe intelektuale sllovene mbajti tubim të madh solidariteti me shqiptarët e Kosovës të shtypur nga regjimi serb, Sllobodan Millosheviqi mbajti fjalimin e tij luftënxitës në Gazimestan, shtetet e Europës Lindore shkundën regjimet antidemokratike, në Rumani u ekzekutua diktatori Nikollai Çaushesku dhe bashkëshortja e tij (kjo ngjarje ia futi frikën komunistëve në Tiranë, të cilët filluan të mendojnë se si ta shpëtojnë kokën), në Bullgari komunistët zhvilluan një fushatë të përndjekjes së pakicës turke (diktatori Todor Zhivkov e quajti dëbimin e turqve me cinizëm: «një shëtitje e madhe»). Si në çdo vit edhe sivjet njerëzit vazhduan të largohen nga kjo botë: presidenti shumëvjeçar francez Jacques Chirac, dizajneri i modës Karl Lagerfeld, diktatori i Zimbabvesë Robert Mugabe, ish-ministri i Jashtëm gjerman Klaus Kinkel, aktori Bruno Ganz, kampioni i Furmulës 1, Niki Lauda.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Vodhi një automjet një ditë pasi u lirua nga amnistia, arrestohet autori në Pogradec

Një ditë pasi u lirua nga qelitë e burgut për shkak të aministisë, i dënuari…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Skandali/ “Vdes për p… dhe lekë”, avokati i kërkon favore seksuale klientes, bashkëpunon me ish-burrin e saj

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një avokat, i cili i kërkon favore seksuale…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Mjeku specializant i Spitalit të Traumës, ndahet nga jeta në një moshë të re

Një mjek specializant në Tiranë është ndarë nga jeta në moshë fare të re. Krios…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Rekord absolut shqiptar! Ky është i dënuari që sapo doli nga burgu dje, vodhi një makinë

Në foto është Ardian Isufi pogradecari që ditën e djeshme la qelitë e burgut të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Plas grushti te Bashkia e Pukës, ndërhyn edhe kryebashkiaku Rrok Dodaj

Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar rreth orës 16:30 të një dite më parë  në…

LEXO ME SHUME