
Një i ri ka rënë në prangat e policisë pasi u kap duke shpërndarë kanabis në Himarë. Në kuadër të operacionit “Parts5” u arrestua shtetasi me inicialet R. B., 27 vjeç, banues në Vlorë. Ndërkohë, policia ka proceduar në gjendje të lirë dhe një shtetas tjetër, pasi kishte akomoduar në banesën e tij, 27-vjeçarin që qëndronte në Himarë si punëtor sezonal, si dhe posedonte një mjet prerës (thikë).
Si rezultat i 2 fazave të mëparshme të këtij operacioni, të finalizuara gjatë kësaj jave, janë arrestuar 5 shtetas, 2 prej të cilëve shtetas anglezë, janë sekuestruar doza kanabisi, kokaine dhe ekstazi, si dhe shuma parash në euro, lekë dhe paund.
Gjatë kontrollit fizik, në çantën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën rreth 50 doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 10 000 lekë të rinj, 1 grirëse për lëndë narkotike dhe 2 celularë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D. Dh., 25 vjeç, ku ishte akomoduar përkohësisht shtetasi R. B., i afërm i tij, u gjet dhe u sekuestrua 1 armë e ftohtë (thikë). Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi R. B. kishte ardhur si punëtor sezonal në qytetin e Himarës, ishte akomoduar në banesën e të afërmit të tij dhe shpërndante doza të kanabisit, kryesisht për turistët, në lokalet e natës, në këtë zonë bregdetare. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.