Lajme

U premtuan pension si minatorë, por “përndiqen” si dikur!

Fiks Fare denoncoi sërish mbrëmjen e së premtes “përndjekjen” që po u bëjnë institucionet shtetërore ish të përndjekurve politikë.

Megjithëse atyre iu premtua publikisht se do të marrin pension si minator, madje u bë edhe një ligj para pak muajsh, ata ende sorollaten në dyert e ministrive për të marrë një copë letër, që vërteton se burgjet e Spaçit dhe Qafë Barit kanë qenë “burgje minierë”.

Në muajin shkurt 2017, Fiks Fare transmetoi problemin e pensioneve të ish të përndjekurve politikë. Këta ish të përndjekur kanë punuar në minierën e Spaçit dhe Qafë Barit, ndërkohë që sigurimet shoqërore nuk ua njihte këtë punë që kanë punuar në nëntokë. Disa ditë më pas, më 20 shkurt, ish të përndjekurit dolën në një videokonferencë me ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj.

Megjithëse të gjitha palët, ish të përndjekurit dhe ministrat ishin në Tiranë, qeveria preferoi të komunikonte me këta ish të përndjekur me anë të video konferencës, pra në mënyrë virtuale. Atyre iu premtua se qeveria do të bëjë një ligj dhe këtë kategori të burgosurish, që nuk kishin përfituar nga ligjet e mëparshme, për shkak se nuk e kishin mbushur moshën e pensionit, do të marrin këtë pension.

Në muajin maj të vitit 2018, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet e ligjit të vitit 1991, dhe këta ish të përnjdekur përfitojnë me letra pension si minator. Por, edhe pas ndryshimit të ligjit, ish të përndjekurit sorollaten nga minsitria e Brendshme dhe ministria e Drejtësisë, por edhe nga sigurimet shoqërore.

Ish të përndjekurit na bënë me dije se i janë drejtuar me kërkesa zyrtare minsitrisë së Brendshme. Mbi 100 kërkesa janë depozituar për të marrë vërtetime, nëse ata kanë punuar në nëntokë apo jo. Vetëm dy prej tyre kanë marrë këto vërtetime dhe sipas tyre edhe këto vërtetime kanë probleme, pasi nuk është cilësuar që këta ish të përndjekur kanë punuar në nëntokë në Qafë Bari apo Spaç.

Ligji u botua në Fletoren Zyrtarë më 30 maj 2017 dhe nga ky ligj përfitonin 264 persona. “Kam 4 muaj që po vuaj për dokumentin dhe ia kam çuar sigurimeve, po sigurimet bëjnë rolin e hetuesit. Unë e kam marrë dokumentin që thotë se e kam vuajtur në Spaç, ku thotë se punohej në nëntokë, po duhet që unë të kem punuar në nëntokë.

Duhen të dhëna të sakta. Jemi 264 vetë që kemi 5 vjet që po vuajmë për pension dhe megjithëse u ndryshua ligji, prapë po vuajmë. Kërkojmë nga Kryeministri vetë ta shohë këtë situatë, pasi besojmë se nuk e di” thotë Fadil Daja.

Një tjetër thotë se ka aplikuar për vërtetim në Ministrinë e Brendshme dhe i kanë thënë se nuk është verifikuar nga Ministria e Drejtësisë. “Kam aplikuar dhe nuk e kam marrë këtë vërtetimin. Unë isha në takimin me ministrin, u miratua ligji në Parlament dhe në atë kohë u gëzuam. Kur vjen fundi, asnjë gjë. I bëjmë thirrje kryeministrit se do bëhet puna shumë keq” thotë një tjetër. Sipas tyre, nëse nuk plotësohen kërkesat, ne kemi vendosur që do futemi në grevë urie.

Pas ankesave, gazetarët e Fiksit i drejtohen sërish Sigurimeve Shoqërore. Ali Emini, nëndrejtor i ISSH thotë se “ligji thotë që kohën e vuajtjes së dënimit për arsye politike dhe vëndin e përcakton minsitria e Brendshme në bashkëpunim me ministrinë e Drejtësisë. Deri më sot dy persona kanë bërë kërkesa, Agim Hakçani dhe Fadil Daja.

Agim Hakçanit i është lidhur pensioni, kurse Fadil Daja, ka pasur një problem me ndarjen e dënimeve. Jemi marrë vetë me këtë çështje dhe konstatojmë me ato dokumente mund ti lidhet pensioni” thotë z.Emini. Më tej shton se, përsa i përket fillimit të pensionit, do fillojë kur Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin, në maj 2018. Ai shton se problemi i dytë është se çfarë pensioni do të kenë.

“Ata do marrin pension si minatorë, në qymyr, në miniera të tjera, sipas tabeleve të kohës të indeksuara. Ata persona që kanë dalë në pension si ish të përndjekur politik dhe kanë pension mesatar, nuk kanë pse të sekëlldisen dhe të drejtohen nëse e kanë bërë dënimin në minierë apo jo. Të gjitha llogaritjet të çojnë aty, koha e punës në miniera sikur të llogaritet, të çon te pensioni mesatar” thotë ai.

Pyetjes se përse po sorollaten sërish këtë ish të përndjekur për dokumentin, ai thotë se “ISSH nuk ka një evidencë se kush janë ata ish të përndjekur që kanë bërë burg politik”.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: