Dhjetë pallate dhe shumë shtëpi janë bërë të pabanueshme nga tërmeti i një dite më parë në qarkun e Lezhës. Disa prej banorëve janë strehuar në çadra të vendosura në bashkitë Lezhë dhe Kurbin, ndërsa të tjerë kanë vendosur të qëndrojnë jashtë pranë banesave të dëmtuara. Ata thonë se tërmeti u ka shkaktuar dëme të shumta, ndërsa ngrenë si shqetësim kushtet në çadra dhe mungesën e ushqimit.
Banori 1: Na kanë sjellë këto çadrat po asgjë nuk kemi pasur, as dyshekë as krevatë asgjë as ushqim. Kanë rënë tjegullat komplet dhe tavani. Për zotin kemi ftohtë boll, lagështirë e madhe.
Banori 2: Kanë ardhur dje këta të bashkisë dhe më thanë nuk ke për të banuar më. Unë jam veti i pestë, jam me 3 fëmijë, vajzën e kam sëmurë me astëm.
Banorja 3: Kushtet nuk i kemi tamam të mira me fëmijë të vegjël. Ftohtë është, shihet lagështia që është këtu. Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu dhe prefekti Gjokë Jaku shprehen se vëmendja kryesore është përqëndruar në identifikimin e dëmeve dhe strehimin e banorëve që u janë dëmtuar shtëpitë.
Pjerin Ndreu: Fakti që e verifikuam këtu në vend nuk do të thotë se vetëm këtu është problemi. Kemi verifikuar dhe disa zona të tjera. Sot kemi rreth 30 familje të akomoduara, që mbrëmë kanë qenë pa strehim. Do vazhdojmë edhe sot të identifikojmë problematika tjetër. Ka institucione të dëmtuara, ka shtëpi të dëmtuara nga shkalla e fundit deri tek dëmtimet e lehta. Por situata është emergjente edhe në Lezhë sepse ka mbi 120 objekte të paktën të identifikuara deri tani. Por procesi vazhdon. Prej dy ditësh në 3 bashkitë e qarkut të Lezhës, grupet e punës ndodhen në terren për evidentimin e dëmeve të shkaktuara. Ndërsa ka nisur mbledhja e ndihmave për tu ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.
