Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, ka deklaruar se siguria kombëtare e vendit tonë nuk cenohet nga Irani, pas tensionimit të marrëdhënieve me SHBA pas ekzekutimit të gjeneralit iranian. Në një intervistë televizive, , Lleshaj deklaroi se “Shqipëria është pozicionuar shumë fortë në krah të SHBA. Pyetja lidhur me sigurinë kombëtare nuk shtrohet sepse nuk ka asnjë shans, asnjë indicie, asnjë mundësi që siguria kombëtare e Shqipërisë të cenohet për arsye se siguria kombëtare është e kontraktuar në kuadër të një aleance të madhe, është Aleanca e NATO-s.”
Gjithashtu, ministri Lleshaj u shpreh se është parandaluar në kohë plani i celulës terroriste. “Ka ekzistuar një celulë terroriste. Kjo ka qenë një tentative për të goditur përmes një akti terrorist në Shqipëri, që është parandaluar përmes angazhimit të autoriteteve tona dhe arritëm që në kohën e duhur të parandalojmë një goditje”, tha ai.
“Qëllimi ishte për të realizuar një goditje terroriste kundër qytetarëve iranianë që ndodhen në Shqipëri. Nuk po them për vendin, por targeti ishin këta persona, opozita iraniane, qytetarët iranianë që ndodhen në Shqipëri. Shqipëria nuk i ka pranuar si opozitë politike, por si një grup që ndodhet në kushtet e rrezikut që kishin nevojë për ndihmë. Është fat i mirë që Shqipëria i ka pranuar”-, tha Lleshaj
Ai sqaroi se dëbimi i ambasadorit të Iranit erdhi fill pas marrjes së këtij informacioni për akti terrorist. “Ne dëbuam ambasadorin e Iranit në kuadër të së njëjtës ngjarje. Shteti iran është konsideruar përgjegjës. Marrëdhëniet diplomatike sot janë në një pikë shumë të ulët.”
“Mësuesi turk, Harun Çelik, që u ekstradua nga Shqipëria në Turqi nuk disponon asnjë dokument zyrtar që të provojë kërkesën e tij për azil politik në vendin tonë”-, tha ndër të tjera ministri Lleshaj gjatë intervistës.
“Jam informuar për këtë rast nga media sepse policia nuk merr leje tek ministri për të vepruar. Pastaj jam interesuar dhe kam parë që rasti është qartësisht i amplifikuar nga media. Ai ka qenë në kushtet e paligjshmërisë së plotë. Nuk ekziston asnjë dokument që të provojë që ai ka aplikuar për azil. Avokatët e tij, për fat të mirë Shqipëria është një vend i lirë ku ka gjykata, dhe mund ta provojnë këtë. Kërkesat për azil nuk janë verbale, por janë të shkruara. Ka jo një, jo dy, jo 10, jo 100, por mijëra qytetarë shqiptarë që dëbohen nga shtetet e tjera për arsye të ndryshme.”-, nënvizoi Lleshaj.
