Tre ngarkesa me luleshtrydhe të importuara nga Greqia në vendin tonë kanë rezultuar të kontaminuara me pesticide te llojit Clofentezine.
Sipas të dhënave të publikuara, një nga ngarkesat ka hyrë në Shqipëri më 1 prill, ka rezultuar me mbetje të pesticidit Clofentezine, një substancë që përdoret për luftimin e merimangave në bimë. Kjo substancë është e ndaluar në disa vende për shkak të toksicitetit të saj të lartë.
Një tjetër ngarkesë e importuar më 17 mars ka rezultuar me mbetje të tre pesticideve të ndryshme: Cyprodinil, Avermectin Bla dhe Fludioxonil, të gjitha me risk të lartë për organizmin e njeriut nëse konsumohen në sasi të konsiderueshme.
Shqetësimi u përcoll nga RASFF, sistemi i alarmit të shpejtë për ushqimin i Komisionit Europian, për tre ngarkesat me luleshtrydhe që janë importuar në vendin tonë. AKU nuk bën me dije nëse ka arritur të bllokojë ndonjë sasi të produktit, apo sa nga sasia e importuar nga Greqia është konsumuar nga shqiptarët, por thotë se ka njoftuar subjektet të kthejnë pas produktin nëse ende e kanë në gjendje.
REAGIMI I AKU
Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, bën me dije se për çdo rast të konstatuar (në treg apo në Pikat e Inspektimit Kufitar), të rezultuar jo-konform kërkesave dhe standardeve me legjislacionin në fuqi për produkte të importit, njoftohet Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë – RASFF.
Lidhur me rastin e produktit Luleshtrydhe të një sasie prej 52 kg, të importuar nga Shteti i Greqisë, AKU në bazë të Planit të Monitorimit me Bazë Risku zbatoi procedurën e dërgimit në datën 17 shkurt 2025 për analizim laboratorik dhe pas daljes së rezultatit u angazhua nëpërmjet sistemit të gjurmueshmërisë për mbledhjen dhe tërheqjen nga tregu të kësaj sasie luleshtrydhe. Në bazë të faturave të shitjes të paraqitura nga Operatori i Biznesit Ushqimor e gjithë sasia rezultonte e shitur.
Menjëherë pas këtij rasti, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë vlerësim të riskut për këtë produkt dhe e ka kategorizuar me risk të lartë.
Për këtë, është komunikuar me të gjitha Pikat e Inspektimit Kufitar, për mostrimin e 10 ngarkesave të njëpasnjëshme dhe bllokimin në kufi të çdo ngarkese me luleshtrydhe, deri në daljen e përgjigjes së analizave të çdo mostrimi për produktin që mund të vijojë të importohet nga Greqia.
Synimi i urdhërimit për bllokime të tilla në PIK është që të pritet cdo rezultat analize e mostrimeve në të tilla raste. Në bazë të këtyre rezultateve do të përcaktohet nëse importet do të lejohen për tregtim brenda territorit shqiptar apo do të kthehen në vendin e origjinës.