Në një intervistë për gazetën “Mapo”, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet se të gjitha sondazhet e nxjerrin sot PD, si forcë të parë politike në vend. Lulzim Basha është i bindur në fitoren e PD-së dhe thotë që po punon për të bindur elektoratin gri.
Ndër të tjera, Basha ka deklaruar se është përgatitur një program ekonomik në bashkëpunim me gjermanët e CDU-së si dhe janë përgatitur paketa antimafia dhe antikorrupsion.
“Të gjitha sondazhet e nxjerrin sot Partinë Demokratike forcën e parë politike në vend, një fenomen që ka, të paktën, dy dekada që nuk ndodh në Shqipëri.
Ne po bëjmë gjithçka të bindim edhe elektoratin e pavendosur se PD është alternativa më e mirë për vendin. Dhe për këtë ne kemi hartuar një program ekonomik në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët gjermanë të CDU-së dhe në konsultim të gjerë qytetarë.
Kemi gati platformën antimafia dhe antikorrupsion me të cilën çdo kush që ka futurt duart në pasuritë publike do t’ua kthejë mbrapsh qytetarëve, kemi paraqitur propozimet tona për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Unë jam i vendosur të çoj përpara misionin tim për t’u dhënë shqiptarëve në qeverisje, modelin europian që meritojnë”, është shprehur kreu i opozitës Lulzim Basha gjatë intervistës.