Një i ri është arrestuar nga policia e Mallakastrës, pasi u konstatua se mbante armë pa leje. Policia njofton se i arrestuari është shtetasi A.I., 33 vjeç, banues në Mallakastër, i dënuar edhe më parë për “Vjedhje”.
“Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër në hyrje të qytetit të Ballshit, në Dukas, duke udhëtuar me një mjet tip “Benz” dhe gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një pistoletë me një krëhër dhe tetë fishekë”,- njofton policia. Madje dyshimet e tyre janë se mjeti tip ‘benz’ me të cilin i riu ishte duke udhëtuar mund të jetë i vjedhur, pasi rezulton me targa të falsifikuara.
“Gjithashtu nga verifikimi që i është bërë automjetit tip “Benz”, dyshohet se ky automjet mund të jetë i vjedhur dhe trafikuar pasi rezulton me targa të falsifikuara dhe me nr shasie të modifikuar”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier për veprat penale “Armëmbajtje pa leje”, “Trafikimi i mjeteve motorrike” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”
