Specialisti i sëmundjeve infektive, Pëllumb Pipero tha sot se masat e marra nga qeveria janë adekuate, janë marrë në kohën e duhur dhe sot më shumë se kurrë është koha të mos bëjmë pyetje pse?.
“Masat u morën ku e ku më shpejt se sa u morën në Itali, por duhet të presim së paku dy javë që të marrim impaktin e parë të masave të marra nga qeveria, sepse ky është një virus me fazë inkubacioni të lartë, 2-3 javë“, deklaroi Pipero për një studio televizive.
Sipas tij, masat gjithashtu duhet të kenë mjaftuar për të ndërgjegjësuar qytetarët të mos lëvizin e të shmangin kontaktet me personat e tjerë.
“Nuk ka asnjë mjet tjetër për të parandaluar përhapjen e shpejtë të pandemisë që të na japë mundësi edhe ne mjekëve ta kalojmë me kosto më të vogla këtë epidemi”, u shpreh ai.
Lidhur me përmasat e përhapjes së pandemisë në vend, Pipero tha se askush nuk mund të bëjë parashkime, por theksoi ai, besojmë se numri i rasteve do të shtohet nisur nga eksperienca e Kinës, Italisë dhe studime të shumta, të cilat dëshmojnë se pas çdo rasti të konfirmuar fshihen deri në 15 raste të infektuara dhe pse nuk janë diagnostikuar, pasi nuk kanë patur shenja.
Ai përrcolli mesazhin tek qytetarët se nuk është koha për panik dhe frikë, por për kujdes të shtuar, nëse këshillat dëgjohen.
Më tej, Pipero apeloi sërish qyetarët të mos i drejtohen spitaleve apo qendrave shëndetësore, në rast se kanë shenja të COVID-19, pasi kështu ata mund të infektojnë personelin mjekësor.
“Personat me shenja të COVID-19 duhet të telefonojnë shërbimin 127”, theksoi ai.
Sipas Piperos, 17 pacientë janë të shtruar në spitalin Infektiv. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar. Vetëm 3 prej tyre janë në kushte të terapisë intensive.
I pyetur nëse pacientët bëhen imun pas prekjes nga virusi, Pipero tha se përgjithësisht pacientët krijijnë imunitet, por është ende herët të flasim se sa të qëndrueshëm do ta lërë imunitetin kjo sëmundje por ekperienca ka treguar se periudha e shërimit ështe edhe më e gjatë sesa pas javës së tretë që përfundon trajtimin mjekësor
