Artur Karati, një 55-vjeçar me banim në Përmet u arrestua nga policia e Tiranës pasi akuzohet se me anë të profili fals në Instagram duke përdorur fotografi të marra në internet të një të mituri të sëmurë, ka përfituar shuma parash me pretendimin se do të përdoreshin për kurimin e tij.
117 transaksione bankare janë kryer nga qytetarë, të cilët janë mashtruar nga profili fals në Instagram. Në gjendje të lirë po hetohen dy persona të tjerë, 42 dhe 47 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Ndalohet një 55-vjeçar i cili me anë të mashtrimit kompjuterik, ka përfituar shuma parash me pretendimin për të ndihmuar një të mitur të sëmurë, për kurimin e tij. Procedohen penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, kanë ndaluar shtetasin në kërkim Artur Karati, 55 vjeç, banues në Përmet. Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. K., 42 vjeç dhe B. I., 47 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shtetasi Artur Karati me anë të mashtrimit kompjuterik të kryer nga një profil fals në rrjetin social Instagram, duke përdorur fotografi të marra në internet, të një shtetasi të mitur të sëmurë, ka përfituar shuma parash nga shtetas të ndryshëm, me pretendimin se do të përdoreshin për kurimin e të miturit. Nga veprimet paraprake janë dokumentuar me prova ligjore 117 transaksione bankare që janë kryer nga shtetas shqiptarë, të cilët janë mashtruar nga profili fals në Instagram.
Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.