Në një mbledhje të përbashkët online, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë Zoran Zaev dhe kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi sa i takon përballimit të pandemisë së shkaktuar nga Covid 19.
Teksa qeveria Hoti shprehu sot përmes zëdhënëses dakordësinë për t’u bërë pjesë e Minishengenit, Rama dhe Zaev e kanë përshëndetur këtë vendim, duke thënë se tashmë “fillon një fazë e re e bashkëpunimit të ngushtë. Kosova bashkohet në tryezë “.
“Shpresoj që dy vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor (Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi) patjetër do të bashkohen në mënyrë që të gjithë të mund të hapim së bashku drejt një të ardhme më të mirë,” tha Rama.
“Unë besoj fuqimisht se kjo iniciativë do të rritet dhe do të na ndihmojë të njihemi më mirë kur bëhet fjalë për ekonominë, sfidat sociale dhe gjithashtu do të lehtësojë atmosferën për gjetjen e zgjidhjeve. Nuk ka asnjë mënyrë ose shans tjetër për një të ardhme më të mirë se sa të flasim, të shkëmbejmë mendime”, tha Rama.
Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, mitëpriti gjithashtu faktin se Kosova do ti bashkohet Minishengenti, dhe shtoi se të gjitha shtetet e Ballkanit kërkojnë të marrin një mbështetje serioze, në aspiratat e tyre për të qenë pjesë e BE-së.
“Ne duam të jemi anëtarë të BE shumë shpejt. Unë pres që procesi i Berlinit të dërgojë një mesazh tjetër nesër për fillimin e negociatave, domethënë mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” tha Zaev.
Si Rama ashtu edhe Zaev mirëpritën nënshkrimin e sotëm të një memorandumi për bashkëpunimin midis tre vendeve në luftën kundër kovid -19, si dhe marrëveshjen dypalëshe midis Serbisë dhe Shqipërisë për lëvizjen e lirë, e cila mundëson kalimin e kufirit me një kartë identiteti.
Zaev tha se të tre vendet, ndër të tjera, po punojnë për koordinim në sigurimin e vaksinave kundër Covid-19, se ata do të ndihmojnë njëri-tjetrin nëse sistemi shëndetësor në njërën prej tyre është i mbingarkuar, dhe se korridoret e gjelbërta do të hapen dhe lëvizja midis tre vendeve do të jetë e mundur.
Zaev gjithashtu tha se memorandumi i nënshkruar parashikon bashkëpunim në përballimin e kostove të trajtimit.
“Këto janë momente solidariteti që ne i japim njëri-tjetrit,” tha Zaev.
Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në luftën kundër Covid-19 në një samit virtual ku morën pjesë Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrat e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore, Edi Rama, Ana Brnabic dhe Zoran Zaev, dhe ministrat e shëndetësisë të tre vendeve.
Avdulah Hoti nga ana tjetër do të jetë pjesë e takimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet nesër në Sofje, i cili ëhstë një vazhdim i procesit të Berlinity. Tema e samitit në Sofje është Tregu i Përbashkët Rajonal – një katalizator për tregun e Bashkimit Evropian (BE).
Për shkak të pandemisë së virusit korona, takimi do të jetë virtual dhe Kosova është një pjesëmarrëse e barabartë.
Përveç përfaqësuesve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin në Sofje do të marrin pjesë Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti francez Emanuel Macron, Komisioneri i BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varheji dhe burra të tjerë shtetesh nga vendet anëtare të BE.
