Categories Kulture

Mbyllet me emocione nata e dytë e Festivalit të XI të këngës!

Festivali i 11-të, në mbrëmjen e dytë risolli në skenën e improvizuar të Bunk’Art1, që u transmetua për telespektatorët përmes valëve të “ReportTV”, si rrallëherë 7 këngë të tjera nga ngjarja më e zhurmshme artistike e diktaturës. 7 këngë në të cilat arti flet me të vetmen gjuhë, që nuk i rri ngushtë, atë të lirisë, të ndjesive personale, të shpresës e mendimit futurist, që kësaj here erdhën nën prezantimin e Bujar Kapexhiut dhe këngëtares Marsela Çibukaj. Ndonëse, kjo shprehi faqebardhë u lëvdua fillimisht nga populli, do t’u kthehej kundër artistëve, sapo u ndie zemërimi i diktatorit Enver Hoxha, bashkë më sërën e tij. Këngëtarja Justina Aliaj, befason publikun me përjetimet e 47 viteve më parë. E privuar nga aktrimi e kënga për 18 vjet, vetëm se talenti dhe hijeshia e artistes, kishte verbuar logjikën e diktatorit.

“Kanë kaluar shumë vite, të them të drejtën, ka dhimbje ka ëmbëlsi. Por e them pa frikë, se vika një kohë që ke nostalgji, sepse më duket se kemi bërë art, kemi bërë melodi”, shprehet këngëtarja Justina Aliaj.

Këngëtari i ri Hilmi Hoxha, i cili këndoi “Vajza e qelqeve”  nuk u lejua të këndojë më në asnjë festival. Dorian Nini, i cili i dha ritme moderne këngës “Shoqja ime më e mirë” me kompozim të Çesk Zadesë u dërgua në Rrëshen, ku me muzikën e tij u bë një nga njerëzit më të dashur për vendasit. Kësaj here për telespektatorët e ReportTV ngjarjen e rrëfen djali i tij “Më ka treguar babi se si ka qenë që të kesh familje edhe ta takosh vetëm një herë në javë, edhe të krijosh familje . Por më ka treguar se e ka  marrë atë gjë edhe e ka kthyer në pozitivitet, duke bërë atë që e kishte pasion”, tregon djali i Dorian Ninit.

Edhe përgjegjësi teknik i audios së festivalit, Spiro Konduri rrëfeu këtë udhëtim për telespektatorët e ReporTV. “Regjistrimet që dëgjohen në festivalet e mëparshëm janë të gjithë janë nga salla, ky ishte i pari festival që u regjistrua në studio”, shprehet Konduri. Një mbrëmje retrospektiv, që i bëri homazh këngës së ndaluar të Fatbardha Rakipit, apo “Vaçes” së dytë , Ema Qazimit. Sikundër nuk kishte si të mungonte kënga “Kur dëgjojmë zëra nga bota” me tekst të poetit Sadik Bejko, që u këndua nga këngëtari Françesk Radi. Një artist, mbi të cilin sistemi lëshoi ndëshkime të egra, duke e strehuar në një barakë të ftohtë në Fushë Arrëz, bashkë me familjen, megjithatë, ai nuk ndali, por zgjodhi t’i këndojë jetës e dashurisë.

“Nuk ishte kënga e Vietnamit e papranushme, por figura e kantautorit që është i aftë të këndojë, të luajë edhe tas sjellë vet melodinë në skenë. Ishte kjo prerje 20-vjeçare që ka qenë e hidhur për Vietnamin”, thotë poeti Bejko. Frymën e atij sistemi që e privoi për 7 vite nga festivali, Bashkim Alibali e rrëfen në Bunk’Art 1. “Ky ishte festivali më shqiptar që ishte bërë ndonjëherë, për mua kishte një farë krenarie të ligjshme kombëtare mund të them, sepse Festivali I Sanremos nuk kishte ndonjë gjë më shumë, që se kishte festivali 11”, shprehet Alibali.

Bashkë me Alibalin në skenë ngjitet edhe kompozitori i këngës “Mbrëmja e fundit”, Enver Shëngjergji, i cili teksa shtrëngon duart fort mbi paterica, përkulet plot mirënjohje para publikut

“Më tragjikja ishte mbledhja e 73-it në Lidhjen e Shkrimtarëve mes vet artistëve. Referatin kryesor e mban Zhani Ciko, në sallë, në kryesi ishte Ramiz Alia. Imagjino çfarë tmerri edhe torture, mirë ne që ishim nga 24 vjeç, të rinj, kur i është drejtuar të madhit, korifeut Çesk Zades, Ramiz Alia duke i thënë: “Po edhe ti more Çesk, edhe ti ke bërë këngë kështu. Çesku i ndjerë pak me shkodrançen e vet, pak me një gojë të vogël, mezi iu merreshin vesh fjalët”, rrëfen kompozitori Shëngjergji.

Ndërsa, virtuozi Olen Cezari me “Ave Maria” kujton edhe qetëson shpirtrat e atyre që s’janë, por, që luftuan për këtë festival, duke e parë si një filiz shprese të çelur në Shqipërinë e diktaturës, ku çdo formë lirie vihej në gijotinë. Këngëtarja Irma Libohova me një serenatë të ndjerë, vjen si e ftuar speciale në skenën e Bunk’art 1, në festivalin, që para 47 vitesh, do ta ndiqte nga salla e operës, si spektatore. Nata finale e këtij Festivali retrospektivë, e ideuar dhe organizuar nga gazetari Carlo Bollino vijon edhe në mbrëmjen e sotme ora 20.30 përmes valëve të ReportTV dhe Radio Televizionit Publik Shqiptar, me të tjera këngë surpriza e histori njerëzore. E.L./d.ba./Shqiptarja.com

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Vehbi Miftari, Ambasador i Kosovës pranë Selisë së Shenjtë dhe shkrimtar, rrëfen librin e tij të ri mbi rrënjët kulturore të kombeve dhe trashëgiminë e Ibrahim Rugovës

“Letërsia është universale, por lind gjithmonë nga një popull” Vehbi Miftari, Ambasador i Kosovës pranë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

“GEO Magazine” artikull për turizmin në Shqipëri, Rama: Rritje me 80% e vizitorëve të huaj

Shqipëria turistike vjen sërish në vëmendjen e medias ndërkombëtare, këtë herë përmes artikullit të publikuar…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Franca fiton Junior Eurovision 2025, Shqipëria renditet në vendin e 6-të

Sipari i “Junior Eurovision Song Contest 2025” ka rënë pas një mbrëmjeje elektrizuese, ku Franca…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Befason Ema Andrea, aktorja nderohet me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”

Aktorja shqiptare, Ema Andrea është shpërblyer me çmimin prestigjioz italian, “Premio Adelaide Ristori 2025”, për…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Takimi  i pa harruar  me Kadarene, Nga Arben  Meksi

Takimi  i pa harruar  me Kadarene Botuesi  i vepres se  Ismail Kadarese ,Bujar Hudhri,here pas…

LEXO ME SHUME