Foto ilustruese
Këto ditë të ftohta për disa familje janë tepër të vështira. I tillë është rasti i familjes Kollçinaku në fshatin Sheqeras të Korçës. Para 10 vitesh, një pakujdesi me bombolën e gazit ja bëri shtëpinë shkrumb e hi. Streha e tyre aktuale është një pikë furnizimi me karburant, raporton Balkanweb. Sikur të mos mjaftonte kjo, prej 5 vitesh, kjo familje vuan mungesën e ujit dhe energjisë elektrike.
Ndërkohë Spartaku, kryefamiljari, duhet të kujdeset edhe për nënën e vëllanë të sëmurë mendërisht. Në këto ditë të ftohta, ku temperaturat në zonën e tyre shkojnë deri në -18 gradë celcius, i vetmi mjet për tu ngrohur është një sobë, e cila më shumë nxjerr tym sesa ngroh, ndërsa drutë ua ka dhuruar kisha ungjillore. Të gjitha këtyre problemeve i shtohet edhe fatkeqësia me djalin e madh të familjes, i cili ka mbetur i paralizuar që 8 vjeç. Të gjitha shpenzimet mbulohen nga KEMP-i, dhe ndonjë punë sezonale që mund të kryej kryefamiljari.
Spartaku shprehet:
“Nuk e përballojmë dot jetesën me KEMP, nuk na del as për ilaçe, tani në dimër këtu nuk ka punë. Gjatë beharit edhe fitoj 4 mijë lekë të vjetra këtu afër.”
Ndërkohë gruaja e Spartakut, ka treguar edhe indiferencën e fqinjëve për t’u ofruar ujë. Më tej ajo shton se refuzon të lindë një fëmijë, për shkak se kushtet e tyre janë të mjerueshme.
Ajo thotë:
“Katastrofë po e quaj, edhe kur shkoj tek fqinjët nuk më japin gjithmonë ujë, këtë avaz ke ti më thonë, por unë nuk kam ku të shkoj. Qëkur jam martuar këtu kam ardhur në këtë pikë karburanti, ka qenë shumë, shumë e vështirë gjithmonë. Unë nuk kam krijuar një familje. Kjo është arsyeja qe skam krijuar familje, nuk mund te bej një foshnje ne këtë gjendje qe jemi. Me dy të sëmurë dhe me një foshnje nuk di ca të bësh më përpara.”
Përtej të gjitha problemeve shëndetësore dhe ekonomike, familja Kollçinakuduhet të bëhet gati të lërë edhe pikën e furnizimit me karburant, pasi pronari i karburantit u ka thënë se duhet të largohen.
Më tej Spartaku shton:
“Do vijë pronari të më nxjerrë, i bëj thirrje kujtdo personi që ka zemër të na ndihmojë edhe ne si familje të ndryshojmë pak jetën tonë.”
Familjen Kollçinaku mund ta kontaktoni për ta ndihmuar në këtë numër telefoni: 069 9381658