Categories Kulture, Lajme

Meta merr pjesë në Festën e Ishmit: Të ruajmë trashëgiminë kulturore dhe historike

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm sot në “Festën e Ishmit”, ku ishte ftuar nga komuniteti i zonës për të marrë pjesë ceremoninë e përvitshme festive dhe Panairin e produkteve tipike të trevës, që u zhvillua në Kalanë mesjetare.

Në prani të Prefektit të Durrësit, Roland Nasto, autoriteteve vendore, kryetarit tëShoqatës Jo fitim prurëse “Ishmi”, Isuf Shehu, si edhe dhjetëra banorëve të zonës, Presidenti i Republikës u shpreh se, është një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë veprimtari madhështore, por edhe me mjaft tema për të ardhmen!

“Vlerat historiko-kulturore të kësaj treve burojnë nga lashtësia, dëshmuar kjo nga gjetjet arkeologjike e deri në ditët e sotme ashtu sikurse ka konfirmuar albanologu ynë i madh Eqrem Çabej, Ishmi ka një gjenezë para 3 mijëvjeçare si vendbanim shumë i lashtë, i pagëzuar në gjuhën pararendëse ilire me emrin ‘Isamus”, ‘Issamus’, ‘Issam’, etj”,- tha Mea.

“Zona e Porto Romanos ka qenë një zonë e rëndësishme portuale dhe tregtare, me një sërë monumentesh si kanali venecian, i ndërtuar në port për lehtësimin e lundrimit; vendbanimi pre-historik i Bishtit të Pallës, zona e Emporionit me tempullin arkaik të Bishtit të Pallës e shumë të tjera”,- shtoi ai.

“Edhe toponimi ‘Rodon’ rrjedh nga lashtësia ilire, besimi pagan dhe besimi politeist në shumë zota apo kulte, njëri prej të cilëve ishte dhe besimi tek Zoti i Detit.Rajoni përreth Kepit besonte te hyjnia e detit me emrin ‘Rodon’. Kështjella e Rodonit dhe kisha e Shën Ndout lidhen me epokën e lavdishme të Skënderbeut”,- vijon Meta.

“Në vitin 1450, pas fitores së Skënderbeut në rrethimin e parë të Krujës, ky i fundit vuri nën zotërim Kepin e Rodonit. Ndërsa kalaja e Ishmit ndërtuar pas vdekjes së Skënderbeut ka një peizazh të larmishëm, ku mund të vështrosh detin, malet Krujë-Dajt dhe hapësirën fushore Lezhë-Tiranë, duke përbërë një pikë turistike tepër tërheqëse. Rëndësia turistike e kësaj kështjelle u rrit me ngritjen e Memorialit të Ibrahim Kodrës, i cili është ndërtuar pas vdekjes së piktorit të fundit kubist me famë botërore me origjinë nga Ishmi. Kulla e Sulejman Kullës ndodhet në fshatin Gjuricaj dhe është një dëshmi tjetër historike e vlerave të kësaj treve”,- shton Presidenti.

“Zhvillimi i turizmit në Gjirin e Lalëzit po krijon tregje të reja të tregtimit të produkteve lokale, ndërsa kushtet për zhvillimin e blegtorisë janë mjaft të përshtatshme, si për mbarështimin e gjedhëve, ashtu dhe atyre të imtave. Gjithashtu, në përgjigje të kërkesave, vihet re tendenca e krijimit të fermave të rritjes së kërmillit, shtimit të sipërfaqeve me vreshta, pemë frutorëve, agrume dhe ullinj”,- tha Meta.

“Ky është një sinjal pozitiv për të ardhmen për ta shndërruar trevën në një zonë konkurruese në prodhime cilësore dhe të çertifikuara. Vitet e fundit po krijohen ferma për prodhime bujqësore organike si ferma ‘Vadardhë’ me 6300 rrënjë hardhi me sipërfaqe 2 ha; ferma organike ‘Kallbaqi’ me prodhime perimesh në sera me ngrohje me sipërfaqe 1.43 ha, ku mbillen 141000 rrënjë rukola, luleshtrydhe, domate, speca, kunguj, lakër; dhe njëkohësisht mjaft e suksesshme ështëferma ‘Duka’ me qendër në Lalëz me aktivitet vreshtari rreth 20000 rrënjë me sipërfaqe 5 ha”,- theksoi Meta.

Sipas Presidentit, relievi kodrinormundëson zhvillimin e ekonomisë pyjore për shfrytëzimin e prodhimit për dru zjarri, bimëve medicinale, bimëve eterovajore, zhvillimit të ekoturizmit, si dhe sportit të gjuetisë.

“Pyjet dhe kullotat përbëjnë një trashëgimi me vlera dhe një potencial natyror të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik. Një vlerë natyrore e Ishmit është sipërfaqja e madhe me pyje, ku speciet dominante janë lisi, shkoza, frashëri, dëllenja, murrizi dhe bashkë me ato pyjet e dendur me lisa të lartë, drurë ahu që rriten deri në lartësi 30 metra mbi nivelin e detit dhe një bimësi e pasur dhe shkurre të rralla mesdhetare që e bëjnë mjaft interesant Ishmin si territor turistik. Po kështu, fauna e pyllit është gjithashtu e pasur, nga lepuri i egër te shpendët e shumëllojshëm dhe mund të zgjojë interesin e të apasionuarve të gjuetisë. Bimët medicinale janë një burim i vazhdueshëm të ardhurash për banorët e kësaj hapësire, të cilët merren me aktivitetin e mbledhjes, grumbullimin dhe tregtimin e bimëve medicinale dhe aromatike si rigoni, balsami, boçka, dafina, dëllinja e kuqe, gjethedelli, hithra, lulëkuqja, manaferra, mëllaga, rigoni, sherebela, tatulla, etj”,- u shpreh Presidenti.

“Pjesa më e madhe e popullsisë së zonës është e punësuar në sektorin e bujqësisë, dhe shumica e punëve në bujqësi është me kohë të pjesshme apo sezonale. Papunësia është shumë e lartë dhe burimet kryesore të të ardhurave mbeten dërgesat e emigrantëve si dhe të ardhurat modeste nga prodhimet bujqësore, blegtorale, ndërtimi dhe shërbimet. Megjithatë unë besoj se edhe kjo pjesëmarrje kaq e gjerë tregon një krenari për atë që ju ndieni si ishmakë, por është edhe një bashkim i të gjitha përpjekjeve që Ishmi të zhvillohet me ritme të tjera, duke e ruajtur, mbrojtur e restaruar të gjitha objektet arkeologjike dhe pasuritë muzeale, kulturore, historike”,- tha Meta.

“Dhe mbi të gjitha duke ruajtur natyrën, sepse kjo do të jetë vendimtare për të ardhmen ekonomike dhe të turizmit, si dhe duke mbështetur më shumë se sa deri tani bujqësinë, agro-turizmin, peshkimin dhe të gjitha veprimtaritë, që u japin një vlerë tjetër të gjitha pasurive që ka Ishmi dhe e tëra kjo zonë, për të qenë një nga zonat më të lulëzuara dhe më të zhvilluara të Shqipërisë, duke qenë edhe krenarë për atë që përfaqëson në historinë e qytetërimit tonë.””,- përfundoi Presidenti.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

VIDEO\ “Shpella e Pëllumbasit”/ Policia gjen dhe shpëton turistët pas pesë orë kërkimesh

Shpella e Pëllumbasit, Tiranë, Pas disa orësh operacion kërkim-shpëtimi, Policia ndihmon 5 turistë nga Mbretëria…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Qarkullonte me armë në qytet/ 30 vjeçari bie në pranga gjatë kontrolleve në Mallakastër…

Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, goditet një tjetër rast i…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shkodër/ Tritol banesës së gjyqtarit Sterkaj, kamerat filmuan autorin e maskuar!

Policia e Shkodrës është e bindur tashmë se vënia e sasisë së lëndës plasëse në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

VIDEO/ Leipzig triumfon ndaj Dortmund, Bayern bën detyrën në shtëpi

Leipzig ka triumfuar 4-1 ndaj Dortmund në ndeshjen e kampionatit. Ekipi i Rose me këtë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

VIDEO/ Rama: Po formësohet çdo ditë e më shumë lëvizja sportive në shkolla

Aktivitetet sportive në Vlorë janë shtuar shumë që pas shpalljes “Qyteti Europian i Sportit” për…

LEXO ME SHUME