Categories Lajme

Meta përkujton 68-vjetorin e pushkatimit pa gjyq të 22 viktimave: Brezat e rinj duhet ta njohin të vërtetën

Në një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” dëshmitarët dhe kontribuesit e zbulimit, gjetjes dhe vënies së drejtësisë në vend për 22 intelektualët e pafajshëm, të pushkatuar pa gjyq 68 vite më parë, me akuzën e hedhjes së “bombës” në ish-Legatën Sovjetike.

Për humanizmin e treguar, në vlerësim të mbajtjes gjallë të shpresës e kurajës së pashtershme për të zbuluar e hedhur dritë mbi të vërtetën dhe si shembuj frymëzues fisnikërie u dekoruan: Kadri Hysa, Faslli Hysa dhe Gëzim Mullaj (pas vdekjes), si dhe zotërinjtë Aleksandër Dhima, Hysen Shehu dhe Osman Kaceli.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm deputetë dhe ish-deputetë, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik e institucioneve shtetërore, Kryetarja e AIDSH-së Gentiana Sula, familjarë dhe pasardhës të viktimave, studiues dhe historianë.

Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta

“Nesër mbushen 68 vite që nga mesnata e errët, kur iu mor jeta padrejtësisht, pa gjyq, 22 qytetarëve shqiptarë të ndershëm, atdhetarë e intelektualë, nën akuzën e stisur të hedhjes së një bombe në ish-Legatën Sovjetike në Tiranë.

Atë ngjarje të dhimbshme, që jemi mbledhur të përkujtojmë sot, viktimat e saj dhe familjet, të cilat u bënë dëshmitarë pa dëshirën e tyre dhe ruajtën me besnikëri jo vetëm të vërtetën dhe sekretin, por ndihmuan në hedhjen dritë mbi errësirën më tepër se 40-vjeçare, na ftojnë e na detyrojnë të gjithëve të mos harrojmë.

Sonte kjo sallë, ju përket ju të gjithëve, u përket viktimave, familjarëve të tyre, por mbi të gjitha i përket popullit tonë, duke u shndërruar sadopak në një institucion ku harresa dhe amnezia historike nuk ka vend. Brezat e rinj duhet ta njohin të vërtetën e së kaluarës së hidhur historike, që ajo të mos përsëritet më. Të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm të kombit tonë kanë nevojë të zënë vendin e tyre të merituar në histori.

Gjithashtu dëshiroj të theksoj me forcë domosdoshmërinë që të gjitha viktimat e diktaturës komuniste duhet të gjenden, në mënyrë që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe duke u dhënë njëherë e mirë qetësi e ngushëllim familjarëve e pasardhësve të tyre, por edhe të gjithë shoqërisë.

Ashtu siç përkujtuam tragjeditë dhe padrejtësitë në ish-kampin e internimit të Tepelenës, ku disa prej jush që gjendeni në këtë sallë, kanë përjetuar kohë të tmerrshme, ashtu edhe sonte, përulemi me nderim dhe respekt e mirënjohje ndaj kujtimit të 22 viktimave të pafajshme, por edhe gjesteve fisnike, njerëzore të atyre qytetarëve të thjeshtë që ruajtën sekretin e vendit të ekzekutimit.

Përpjekjet stërmunduese dhe kërkimet e parreshtura, gjetja e eshtrave, ende të lidhura me tela me gjemba, rivarrosja me nderime në vendprehjen e përbashkët te ‘Dëshmorët e Kombit’, ndriçuan të vërtetën, nderuan kujtimin e viktimave, por edhe shërbyen për të njohur historinë dhe për të nderuar kujtimin e tyre të pashlyeshëm.

Më në fund, në saje të gjithë këtyre përpjekjeve mbinjerëzore, u kërkua dhe u arrit, gjatë viteve ’90-të, të merrej pafajësia e merituar për ata 22 qytetarë shqiptarë, të mirë e të denjë.

Të nderuar të pranishëm!

I mirëprita me shumë gatishmëri institucionale dhe njerëzore propozimet e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për të nderuar e vlerësuar këta shembuj të rrallë humanizmi, që i bëjnë nder gjithë popullit shqiptar, që na frymëzojnë ne, dhe veçanërisht brezat e rinj.

Të ndjerët Kadri e Faslli Hysaj, Gëzim Mullaj, zotërinjtë Aleksandër Dhima, Hysen Shehu dhe Osman Kaceli, me veprimet e tyre njerëzore, atdhetare, por mbi të gjitha të ndërgjegjshme e të përgjegjshme për barrën e rëndë të ruajtjes dhe zbulimit të së vërtetës historike, meritojnë mirënjohjen dhe respektin tonë më të madh.

Ata janë shndërruar në shembuj të gjallë e frymëzues të sakrificave njerëzore dhe të shpirtit humanist shqiptar, në gjurmët e së shtrenjtës sonë, Shenjtores Nënë Tereza dhe sa e sa atdhetarëve të ndritur të kombit tonë, duke na mësuar se urrejtja, përçarja, vëllavrasja dhe ndasitë nuk duhet të kenë më vend mes nesh.

Për më tepër që dekorimi i këtyre qytetarëve të denjë e shqiptarëve fisnikë për merita të veçanta civile, është një mirënjohjeje modeste ndaj altruzimit, atdhedashurisë, dhe përpjekjeve të tyre besnike ndaj së vërtetës dhe qëndresës stoike përballë së keqes dhe padrejtësisë. Është koha për reflektim, drejtësi dhe pajtim! I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Kryente marrëdhënie me eskortat e Tiranës dhe më pas i shantazhonte, arrestohet “polici”

Një person që prezantohej si efektiv policie ka përfunduar në prangat e Agjencisë së Mbikëqyrjes…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

62-vjeçari skemë piramidale me 28 mln euro mashtrim, sekuestrohen pasuritë e gruas së tij në Shqipëri

Apartamente, parkime me vlera mbi 480 mijë euro në Lundër janë sekuestruar në pronësi të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Rriten ndjeshëm udhëtimet nga ajri, nuk preferohen më lëvizjet përmes detit

INSTAT ka publikuar statistikat e transportit të tremujorit të parë, ku konstatohet një rritje e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Plagosje me thikë në Tiranë, degradon sherri mes të rinjve, kapet autori

Policia e Tiranës njofton se ka vënë në pranga një 32-vjeçar, i cili akuzohet se…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Këmbimi valutor 30 prill/ Me sa blihen e shiten sot monedhat e huaja

Sot, më 30 prill 2024, në tregun valutor, dollari amerikan blihet me 93.8 lekë dhe…

LEXO ME SHUME