Top Channel duket se do të vazhdojë hemoragjinë e largimeve dhe përplasjeve për një kohë të gjatë, derisa në drejtimin e këtij televizioni kombëtar të jetë një politikan i dështuar, një ish-ministër i korruptuar dhe i shumëakuzuar, Ben Blushi.
Burime nga ky televizion i thanë CNA.al se një tjetër përplasje e ashpër ka filluar në këtë televizion dhe këtë radhë është emisioni humoristik, “Portokalli”, një nga ikonat televizive dhe produksionet kryesore të filluara shumë vite më parë, nga pronari i ndjerë i Top Medias, Dritan Hoxha. Të njëjtat burime theksuan se përplasja ka ndodhur mes Ben Blushit dhe drejtuesve të emisionit “Portokalli”, dhe ish-kreu i LIBRA-s, ka theksuar se do t’i largojë trupën e aktorëve.
Mësohet se shumica e tyre tashmë kanë vendosur largimin nga Top Channel, dhe vetëm një ose dy prej aktorëve të trupës së këtij emisioni humoristik mund të ngelen në këtë televizion, kjo për shkak edhe të kontratave me emisionet e tjera, ndërsa gjithë trupa tjetër pritet të largohet. Mësohet se Portokallia pritet të shihet në një televizion tjetër, por këto janë qëndrime të pakonfirmuara ende.
I sigurtë është fakti se tashmë Ben Blushi me dorën e vet ka shpartalluar trupën e Portokallisë, të cilën e sulmoi me fillimin e pandemisë së Covid-19, duke iu mbyllur emisionin dhe duke iu hequr pagat, megjithëse më pas trupa tregoi se në kushte të plota sigurie dhe masash mund ta zhvillonte sërish emisonin. Kujtojmë këtu se Portokallia ka pasur largime të herëpashershme, ku janë larguar “The SHBLSH”, me aktorët e humorit, Gentjan Zeneli, Julian Deda, Ermal Mamaqi. Po ashtu është larguar edhe Elvis Pupa, Bes Kallaku, dhe vetë Agron Llakaj.
Ndërsa së fundi janë larguar edhe Olsi Bylyku dhe Delinda Disha, etj.Shumë nga ata që u larguan nga “Portokalli”, ikën në Vizion Plus apo Tv Klan, por të shpërndarë nuk mundën kurrë të krijonin performancën e Portokallisë.
Të gjitha këto largime kanë ndikuar në show-n Portokalli, por nuk kanë mundur ta venitin. Ky është largimi më i madh, pasi largohet gjithë trupa, regjisorët, drejtuesit dhe duket të jetë goditja më e madhe sepse nuk është një largim i vetëm që mund të zëvëndësohet, dhe këtë herë duket se shpartallimi është i pandalshëm./ CNA.al
