Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare shkrimtari i njohur izraelit, Amos Oz. Mësohet se Oz ndërroi jetë pas betejës me një sëmundje të rëndë. Oz ka qenë profesor i Letërsisë në Universitetin Ben-Gurion në Be’er Shevë. Nga viti 1967 ai u angazhua si aktivist për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.
Veprat e Oz janë publikuar në 45 gjuhë të ndryshme, në 47 vende të botës. Ai është nderuar me disa çmime si: Legjioni i Nderit në Francë, Çmimi Gëte, Princi i Asturias, etj. Oz konsiderohej si një ndër autorët më të mirë izraelit të dekadës së fundit. Disa nga veprat e tij të përkthyera në gjuhën shqipe janë: “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, “Majkëlli im”, “Si të kurosh një fanatik”, “Të njohësh një grua”, “Jetë fshati”, “Jeta rimon me vdekjen”.