Një oficer i Forcave Operacionale është arrestuar me akuzën se ka ndihmuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj të arratisej dhe shmangej kapjes nga policia. 28-vjeçari Jeton Lamaj është dënuar më 23 gusht 2022 me arrest me burg nga Gjykata e Lezhës për shpërdorim detyre.
Sipas hetimeve të policisë, rezulton se Jeton Lamaj ka pasur kontakte të ngushta me Martinaj gjatë kohës që ai ishte në kërkim.
Nga hetimet rezulton se 28-vjeçari, duke qenë punonjës policie, ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar Ervis Martinaj. Prokuroria e Kurbinit i ka nisur hetimet për rrëmbim personi, pas denoncimit të familjarëve të Ervis Martinaj se kanë humbur kontaktet me të.
“Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, bënë ndalimin e shtetasit J. L., 28 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie (agjent), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit. Pas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, për veprën penale të rrëmbimit të personit, referuar nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendimin e datës 23.08.2022, ka caktuar ndaj shtetasit J. L. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Nga hetimet e thelluara rezulton se 28-vjeçari, duke qenë punonjës policie, ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar një person shumë të kërkuar. Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin”, thuhet në një njoftimin e policisë.
Dëshmia e policit pritet të jetë kyçe për të zbuluar vendndodhjen e Ervis Martinajt. Më 11 gusht xhaxhai i Ervis Martinaj ,Faik Martinaj, ka denoncuar në Komisariatin e Policisë Lezhë se ka humbur kontaktet me nipin prej 3 ditësh
Denoncimi nga ana e familjarëve të Martinajt, vjen pas atentatit që ndodhi në korrik në Fushë-Krujë ku u ekzekutuan tre persona, një prej të cilëve kushëriri i Ervis Martinajt, Brilant Martinaj, i dyshuar për vrasjen e Xhulio Prelës në 2020.
Ervis Martinaj është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen, numri 2 i Bandës së Durrësit. Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.
