Zona në Porto Romano u ndot tërësisht nga derdhja e një sasie tepër të lartë të karburantit. Qytetarët nisin të mblidhnin karburantin me bidona. Pas publikimit të pamjeve edhe në Ora News janë ndërmarrë masat për ngritjen e një grupi pune nga inspektoriati shëndetësor në Durrës të cilët shkuan në terren tek depozitat kryesore te kompanisë së hidrokarbureve. Emri i kompanisë që u mbajt i fshehur nga ministria e Mjedisit zbulohet në procesverbalin që Inspektoriati i Mjedisit i Qarkut Durrës që Ora News disponon.
Ne këtë procesverbal zbulohet se kjo kompani ishte e vetëdijshme për ndotjen e cila ishte shkaktuar pasi ishte dëmtuar valvula kryesore që furnizonte depozitat kryesore.
“Lidhur me ndotjen e mjedisit shkaktuar nga kompania e hidrokarbureve “Gega Oil” në zonën e Porto Romanos Ishmput Durrës ngriti grupin e punës dhe shkoi në terren tek depozitat kryesore të kompanise. Kontaktoi me personat përgjegjes të kësaj kompanie dhe u diskutua për shkaqet që çuan këtë ndotje. Personat përgjegjës ishin të vetëdijshëm për ndotjen e shkaktuar, ku sqaruan se kishte ndodhur një incident gjatë furnizimit të depozitave kryesore nga anijet e shkarkimit pasi ishte dëmtuar valvula kryesore, për të cilën u morën masat dhe u riparua. “
Më tej thuhet se po punohet për filtrimin e ujit nga kanali për në det. “Gjatë kësaj kohe kompania ka bërë pastrimin e territorit, ndërkohë inspektorët e mjedisit kontaktuan dhe me përfaqësues të hidrovorit, të cilët konfirmuan që kanë marrë masat duke vendosur bumerat për filtrimin e ujit nga kanali për në det. Gjatë inspektimit nga ana e inspektorëve tanë është fotografuar dhe filmuar zona e ndotur. Sqarim : Kompania Gega Oil ne momentin qe ka ndodhur ky incident ka vene ne dijeni Agjensine Kombetare te Mjedisit dhe te gjithe Instancat ligjezbatuese” thuhet në letër.