Tre ditë pas furtunes se shkarkimeve në Kadastrën e qytetit bregdetar që vijoi edhe sot me një tjetër dorëheqje, zbarkoi paradite njësia e anti-krimit ekonomik duke vendosur në hetim 23 punonjës, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronën e një personi duke ia kaluar një tjetri përmes falsifikimit.
Burime për VloraNews pohuan se hipotekimi i pronës për të cilën kanë nisur hetimet është bërë kundër parashikimeve ligjore duke i kaluar një tjetri.
Pas denoncimit të rastit, anti-k.rimi ekonomik ka shkuar paraditen e sotme në ambientet e Kadastrës së Vlorës për të sekuestruar dokumentet në lidhje me hetimin që po bëhet. Ndërkohë që sot ka dhënë dorëheqjen një tjetër zyrtar i Kadastrës, n/ drejtori tjetër i këtij institucioni për ALUIZNI-t, Ardian Musta, ndërsa arsyet nuk dihen.
Kujtojmë që ditën e hënë drejtori i komanduar i Kadastrës Florian Almadhi dha dorëheqjen nga posti, ndërsa në vendin e tij u emërua Alteo Nazëraj. Po po të hënën u shkarkuan nga detyra n/ drejtori i Kadastrës, Klodian Troci dhe tre specialistë.
Troci u shpreh se ka dorëzuar çelësat dhe pret me shkrimin shkarkimin që i është komunikuar me gojë ditën e hënë. “Zyra është hapur, nuk kam bërë asnjë rezistencë. Shkarkimi më është thënë më gojë, të enjten pritet të vijë me shkrim, që prej të hënës kam lënë çelësat në sekretari dhe nuk kam shkuar më në punë” tha ai.
Nuk dihet nëse lëvizjet në Kadastër kanë lidhje me hetimet që kanë nisur për tjetërsimin e pronave.