Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të mblidhen sot në Luksemburg për të përgatitur draftin me konkluzionet kryesore në axhendë, që do u kalohet më pas liderëve të vendeve të BE-së në samitin e 17-18 Tetorit ku do të vuloset edhe fati i Shqipërisë dhe Maqedonisë nëse do të hapen apo jo negociatat.
Axhenda e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së është zbardhur nga Këshilli Europian, ku në krye është procesi i zgjerimit me dy vendet e Ballkanit, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Franca dhe Holanda janë dy vendet skeptike, por deri në 18 Tetor asgjë nuk është mbyllur dhe shpresat janë reale për Shqipëri.
Diskutimi mes ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian do të bazohet në konkluzionet e miratuara në 2018 me premtimin se negociatat do të hapen pikëtisht këtë vit, por nga qershori u shty në tetor.
Në reagimin e tij, pak para se të nisë mbledhja, ministri i jashtëm, Gent Cakaj shkruan se sot është momenti që BE-ja të tregojë se i mban premtimet e dhëna, ku theksoi se një vendim negativ do të ndikonte në ngadalësimin e progresit të reformave.
‘Koha të çelim negociatat. Provë e BE për të mbajtur premtimet dhe për të parë të ardhmen. Një vonesë tjetër mund të minojë besueshmërinë në BE. Sot BE përballet me një zgjedhje historike. Nuk na duhet një vështrim i ngushtë, por një fener shprese. Një vonesë tjetër mund të ngadalësojë progresin e reformave”, shkruan Cakaj.
