Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në Rinas, do të kalonin dy shtetas, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “False”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. O., 42 vjeç, banues në Suedi.
42-vjeçari i ka siguruar dokumente të dyshuara të falsifikuara një shtetaseje tajlandeze 26 vjeçe, me të cilën ka udhëtuar nga Turqia drejt Shqipërisë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 42-vjeçari i kishte siguruar dokumentet e falsifikuara kësaj shtetasje, me qëllim për ta trafikuar në Suedi, për ta shfrytëzuar për prostitucion.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 42-vjeçari iu siguronte dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, edhe shtetasve të tjerë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.