Trajneri i kombëtares së Francës, Didier Deschamps ka kërkuar falje për gabimin e bërë në momentin e ekzekutimit të himnit të Shqipërisë. Në konferencën për shtyp, pas fitores 4-1 në “Stade de France”, dy herë fituesi i Kupës së Botës, si lojtar dhe trajner, tha se e kuptoj pozicionin e shqiptarëve në atë moment, por ishte një gabim që ndodhi.
“Kërkoj falje për lojtarët dhe trajnerin. Është diçka që nuk duhet të ndodhë, por ndodhi. Unë e kuptoj pozicionin e shqiptarëve dhe është logjike që ne prisnim derisa shqiptarët të mund të kishin himnin e tyre para asaj ndeshje.”-u shpreh shkurtimisht Deschamps.
Incidenti ndodhi në momentin kur pritej që në sfond të luhej himni shqiptar, por organizatorët gabuan, duke lëshuar atë të Andorrës. Një situatë që bëri xhiron e botës, teksa në Francë e kanë konsideruar si një gabim njerëzor dhe pa tendencë.