Categories Sport

Ngjitja e Shqipërisë së femrave në vazon e 4-t

Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar të femrave, ekipi ynë Kombëtar është ngjitur në vazon e katërt, duke u renditur tanimë në ekipet e nivelit mesatar në Europë. Për të folur mbi zhvillimin e futbollit të femrave, fshf.org ka realizuar një intervistë me përgjegjësin e Sektorit të Futbollit të Femrave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Florian Riza, i cili shpjegon më në detaje strategjinë e ndërtuar, funksionimin si dhe zhvillimin deri më tani të futbollit të femrave.

“Futbolli ynë i femrave, sidomos ekipi Kombëtar ka një zhvillim të dukshëm. Në vitet e para të krijimit të ekipit Kombëtar, ne kemi qenë rivalë të denjë të ekipeve përreth Shqipërisë siç janë Maqedonia, Kosova, Greqia dhe Mali i Zi. Tashmë kemi kaluar në një nivel tjetër, kemi kaluar në nivelin e ekipeve mesatare, renditemi të 33-tët në Europë sa i përket futbollit të femrave. Besojmë se duke stimuluar financiarisht futbollin e femrave, ne do të arrijmë objektivat që kemi vendosur apo do të ndryshojmë edhe vazon e katërt dhe besoj se do t’ia arrijmë brenda eliminatoreve të Kampionatit Botëror, duke shkuar tek e treta”,  thotë Riza.

“Rezultatet nuk vijnë rastësisht. Ekipi ynë Kombëtar mbështetet plotësisht tek ekipi i Vllaznisë së Shkodrës, që ka bërë paraqitje dinjitoze në Champions League për femra, qoftë në sezonin e shkuar, qoftë në këtë sezon, duke u renditur në 32 ekipet më të mira në Europë më herët dhe në sezonin e kaluar duke kaluar raunde. Edhe me ekipet Kombëtare të moshave, U-16, U-17 dhe U-19 kemi bërë paraqitje të mira. Edhe në turneun e zhvilluar nga UEFA vitin e kaluar në Shqipëri, ekipi i 16-vjeçareve bëri paraqitje të shkëlqyer, duke u renditur e para në grup me pikë të plota. Kjo tregon zhvillim dhe tregon se ne po ecim në rrugën e duhur. Në një të ardhme shumë të afërt, unë besoj se ekipi ynë Kombëtar do të jetë një konkurrent i denjë edhe për nivelet mbi mesatar të futbollit të femrave”,  vijon Florian Riza për fshf.org.

“Kemi bërë një skemë të incentivimit të futbollit të femrave, për herë të parë e aplikuar në këtë formë dhe e miratuar plotësisht nga Komiteti Ekzekutiv dhe UEFA. Po financohet masivisht për futbollin e femrave dhe flasim për një rritje financiare mbi 200 %. Këto bëhen vetëm që futbolli i femrave të njohë rritje të vazhdueshme dhe të gjithë klubet e futbollit në Shqipëri të kenë të qartë që futbolli i femrave është një sport për t’u zhvilluar, për t’u investuar, për t’u parë njësoj si futbolli i meshkujve.

Për herë të parë, FSHF ka hartuar dhe miratuar strategjinë e futbollit të femrave, që do ta udhëheqë futbollin e femrave në pesë vitet e ardhshme. Federata e Futbollit ka organizuar dhe financuar kampionate të tilla si: kampionati për femra nën 15 vjeç. Në vitin e ardhshëm synojmë të krijojmë kampionatin për femra nën 16 vjeç, më tej nën 17 vjeç e me radhë. Ndërkohë, nga i gjithë investimi në bazën e futbollit të femrave, për moshat 12-13 vjeç, kemi organizuar kampionate rajonale amatore për femra dhe kampionate në rreth 60 shkolla 9-vjeçare dhe synojmë që në vitet të ardhshme të arrijmë në krijimin e 100 ekipeve në shkollat 9-vjeçare. Kjo kërkon shumë punë dhe shumë angazhim. Është vetëm fillimi, pasi nuk duhet të harrojmë se kemi qenë në periudhë pandemie dhe është shumë e vështirë, që organizimi të jetë perfekt, por besoj se me kalimin e kësaj periudhe të vështirë, futbolli i femrave do të ecë në rrugën e duhur.

Në strategjinë e futbollit të femrave kemi punuar në dy linja: në evidentimin dhe incentivimin e futbollit elitë për femra, pra të ekipeve aktuale për femra dhe nga ana tjetër, kemi incentivuar edhe bazën e futbollit të femrave, pra ekipet e shkollave, ekipet për femra U-13, ekipet për femra U-15”,  përfundon Riza.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Sport

Në prag të Final Four, FSHF publikon kalendarin, tre ndeshje në një javë

Tre ndeshje në një javë. Federata shqiptare e futbollit zbuloi dhe kalendarin për 3 javët…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Haaland i rikthehet golave, Man. City fiton 0-2 kundër Nottingham dhe ndjek Arsenalin

Në “City Ground” Nottinghami vendas u mund 0-2 nga Manchester City. “Qytetarët” tanimë janë në…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Distria Krasniqi shpallet kampione e Evropës në xhudo

Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë,…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Gjimshiti: Krenari dhe lumturi, e merituam kualifikimin ndaj Liverpoolit

Atalanta shkroi historinë përballë Liverpoolit. Skuadra e Gasperinit eliminuan skuadrën e Klopp, duke siguruar një…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Mario Mitaj flet me zemër: Kam lindur në Athinë, por s’jam grek, E dua Shqipërinë, jam patriot!

Një nga më të mirët në dy miqësoret që Kombëtarja shqiptare zhvilloi, ishte Mario Mitaj.…

LEXO ME SHUME