Categories Lajme

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të Himarës

“Shtëpia e këmborëve”, ‘Shtëpia e Gurtë”, “Shtëpia e ullinjve”, “Shtëpia e limonit”, “Shtëpia e Çiponuzës”. Jemi futur në “oborret që flasin” me mikpritjen, autoktonen dhe shijen e Himarës: ushqime tradicionale, të lashta dhe të reja, të ëmbla e të ngopura me kripën e Jonit, të veçanta që nuk i gjen në asnjë prej restoranteve përgjatë bregut.

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të

Oborre të rrëmujshëm, mbytur me rreze dielli dhe hije që të kthejnë në fëmijërinë e viteve ’70-’80 dhe shumica datojnë në atë kohë e shumë më përpara. Të bëjnë vocërrak dhe gjyshja jote që ka ndërruar jetë prej dekadash sikur është rimishëruar në duart, rrudhat, fytyrën e lodhur, por me buzëqeshjen e Katerina Rondos, Sose Gjinucit, Vasilika Millios, Lida Gjomemës dhe Virada Bollanos.Oborre të shtruar me çimento gri, tulla, pllaka e çfarë është gjetur rrotull ku edhe mund të gremisesh, por bie butë dhe mirë mbi tavolinat e mbushura me gatimet tradicionale: petulla si toptha apo të shtrira, liko frutash, djath i bardhë me erëza, qershi të stinës, kana qelqi të dikurshme plot me kos të tundur, byrekë me peshk dhe lakra të egra… Gjithë të mirat e kësaj bote që nuk i gjen në asnjë nga restorantet poshtë në Lungomaren e Himarës, ku shërbehen recetat e gjithë globit, përveç pjatës që rriti Himarën ndër shekuj.

“Oborret që flasin”, një iniciativë e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe bashkisë së Himarës, ka vendosur fillimisht që të hapë oborret e 5 shtëpive tradicionale të gurta të Bregut të Himarës, jo vetëm si pjesë e trashëgimisë arkitekturore, por edhe si hapësira të kujtesës. Në muret e vjetra pranë portave kanë vënë nga një tabelë me emërtimin dhe një QR që të çon te të dhënat në shqip dhe anglisht.

Një nismë e vogël, që do të shuhet bashkë me protagonistët, nëse nuk e merr brezi më i ri e nëse nuk bëhet masiv, por që hëpërhë do të thotë shumë për biznesin e këtyre familjeve, zonës, dhe cilësinë e turizmit të vizitorëve të shumtë e Bregut, që pret qindra mijëra vendas dhe të huaj gati gjithë vitit.

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të

Dhurata Thanasi Daneri, Menaxhere e Zhvillimit të Biznesit pranë Fondacionit Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (ALCDF), entuziaste e ushqimit të shëndetshëm dhe e njohur për promovimin e tij me blogun “Luga e argjendtë” të çon oborr më oborr, flet për të zotët e shtëpive dhe me ta, “hap petët” e gatimeve që u ofrohen vizitorëve, një grushti punonjësish të medias trandicionale dhe më shumë asaj të rrjeteve sociale që do të mbushin instagramin me foto, video dhe rrëfime të shkurtra për qindra vite kulinari, tradita, doke dhe zakone.

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të

“Puna ime në këtë projekt ka qënë lidhur me propozimin që i kam bërë Bashkisë Himarë për të ofruar një mënyrë të vjetër apo të re tashmë, të të bërit turizëm. Atë të dëftimit dhe rrëfimit të shpirtit himariot, i cili e merr mikun nga “udha” apo “xhadeja” dhe fut në oborrin e shtëpisë e i nxjerr një “bardhak” ujë, pak raki e liko. E më pas nis të “ngasë” dhe ndonjë këngë me iso e të tregojë kush ka kaluar në aksh vit e kush e ka ringritur shtëpinë pas djegies nga Greku, “Gjermëni “, apo sa bij muarrën rrugën në kurbet”- thotë zonja Thanasi, ndërsa vërtitet mes gatimeve dhe shpjegimeve të traditës vendase.

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të

Nga oborri në oborr

Lefter dhe Katerina Rondo e nisën ndërtimin e “Shtëpisë së Këmborëve”, në fillim të aksit Himarë-Sarandë, që në vitin 1984. Lefteri, sot 82 vjeç, me shenja të dukshme parkinsoni, mblodhi në atë shtëpi tre breza. Në oborrin e mbuluar me hardhi ofrohet gatimi me saç, shijohet byreku me mish, tava me perime dhe produkte sezonale. Lefteri punoi një jetë si mësues matematike e fizike dhe sot krenohet se ka mbjellë në cep të oborrit tranguj, bamje, domate dhe gjithçka tjetër që do shtëpia dhe shija e mirë e tryezës.

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të

Në “Shtëpinë e Këmborëve” të pret edhe kryetari i bashkisë. Vartësja e tij të drejton me shaka: Epo kjo  është shtëpia e kryetarit.

-Ou, po sikur kryetarin e kemi nga Dropulli!, – i them Vangjel Tavos duke i dhënë dorën, ndërsa ai përgjigjet duke ngritur kokën nga qielli:

– Epo, këtu na hodhi…- Partia – deshi të thotë ndoshta Tavo që e mori kryeministri Rama nga Gjirokastra fqinje për të drejtuar Himarën, dy vite më parë.

Zona ka patur histori të trazuar në vitet e fundit, jo aq sa prej përplasjeve pa bereqet Tiranë-Athinë në emër të minoritetit, por ato politike që çuan në arrestimin e Fredi Belerit, kandidat i mbështetur nga Berisha, më 12 qershor 2023, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve vendore me akuzën për korrupsion zgjedhor me 400 euro, edhe pse fitoi bashkinë me 19 vota më shumë se Gjergji Goro i PS dhe tashmë është eurodeputet i partisë së kryeministrit Mitsotakis. Goro më pas u arrestua nga SPAK për korrupsion me pronat dhe Vangjel Tavo, i PS-s ë, fitoi me 1477 vota më shumë se emigranti në SHBA, Petro Gjikuria, i kandiduar nga PD në zgjedhjet e pjesshme të 4 gushtit 2024.

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të

Prej atëherë Himara po përpiqet ta marrë veten të paktën në administrimin e territorit që ende ka shumë punë për të bërë, sepse qyteti në disa pjesë, edhe pas Lungomares, ngjan si magazinë natyrore lëndësh ndërtimi dhe “under construction”.

Tavo ka marrë me vete edhe vajzën e mitur, që spërkat me vaj ulliri, byrekun me peshk, te “Shtëpia e ullinjve” aq shumë sa rrëzon mitin kurnac të gjirokastritit.

-Nami na ka mbetur neve, se nuk jemi ashtu, – thotë kryebashkiaku duke qeshur.

“Shtëpia e Ullinjve” e familjes Gjinuci ka aromë byreku me kocë deti të egër. Sosja, e zonja e shtëpisë, nuk përton ta gatuajë njërin për vizitorët. Hap petët me pak niseshte i mbush me mbi 1 kilogramë qepë të bardha, të ziera me lëngun e kocës e të kavërdisura dhe mbi petën e fundit vë peshkun me lëkurë të argjendtë.

“Byreku me peshk në të gjitha shtëpitë e Himarës ishte gatim i përditshëm, nga Qeparoi në Palasë”- thotë i zoti i shtëpisë, Angjello Gjinuci.

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të

Ai tregon me krenari se para 15 viteve këtu kishte 5 ullinj disa shekullorë dhe 1 fik, ndërsa gjithë të tjerët i ka mbjellë vetë dhe i ka rritur zonja, ajo që sot na gostit me byrekun me peshk.

Ndërsa tëhollen petët e byrekut, këngëtarja e shquar himarjote Katina Beleri ia ka marrë këngës dhe deputeti i zonës, Vullnet Sinaj i mban ison. Këndohet në shqip dhe greqisht dhe zëri i paarritshëm i Katinës shpërndahet në oborin e mbushur pemë, lule dhe shumë miq.

Zonja e “Shtëpisë e Gurtë” në Kalanë e Himarës, e familjes Bollano, të fton në mes të kalasë, jashtë mureve të trashë të banesës së gurtë të ndërtuar rreth dy shekuj më parë. Tavolina është e mbushur bukfiku, gliko dhe çaj mali dhe Virada Bollano fut fiqtë e thatë në një grirëse mishi të viteve ’80 të shekullit të kaluar për të bërë brumin që më pas mbështillet me plastmas dhe ruhet për t’u ngrënë çika-çika.

Për të shkuar në oborrin tjetër duhet të kthehemi pas, në Ilias. Gogo Gjomema, me origjinë nga Tërbaçi, e ka shtëpinë oborrgjerë plot limonë, mana dhe çdo gjë të dashur, sapo kalon tabelën e fshatit, ndërsa veranda shikon mbi Jon, si një ballkon i vjetër toskan.

“Fshati ynë ka 30 shtëpi, por nja 15 nxjerrin tym”, – thotë Gogo dhe të fton të pish raki, ndërsa e shoqja Lida pret kekun me portokall.

“Shtëpia e Çiponuzës” të ofron petullat me djathë dhe reçel fiku, kek me aromë portokalli. Gogo e bën vetë limonçelon, një pije me emër Italian që do limonë, mbi një litër raki dhe shumë erëza për t’u bërë ai lëngu i limontë që të “merr në qafë”.

Dhe në fund “Shtëpia e Limonit” e Kristofor dhe Vasilika Millios në Vuno. Një oborr që sheh lart mbi Jon, mbi rrugë. Tavolinat plot me byreçka të mbushur, shoqëruar me verë të përzier me karafil dhe çiponuzë, speca të mbushur dhe tavë me patëllxhanë. Për lezet edhe një sallatë fshati. Edhe aty kana me kos të freskët, apo ujë të ftohtë nga potami (burimi).

Edhe sa?

Oborret e Himarës janë të hapur për vizitorët. Të thjeshtë, të pastër, intimë, të mbushur plot me prodhime të tokës dhe të bagëtisë. Njerëzit dynden drejt plazheve, ushqimit të shpejtë apo restoranteve të shtrenjta buzë Jonit. Gëlltisin çdo gjë, por nuk kanë shijuar asgjë nga Himara që kanë këto oborre.

Oborret e Himarës ndërkohë janë hapur, por pyetja është edhe sa do të zgjasin, apo do të zhduket bashkë me shuarjen fizike të gjyshërve dhe gjysheve të paqta të Himarës?

Të zotët e këtyre oborreve ishin afër pensionit kur u hap Shqipëria, jetuan dhe vuajtën si emigrantë sa në Greqi e në Amerikë dhe sot çapiten në shtëpitë që shumë pak kanë ndryshuar nga 50 vite më parë

Lefter Rondo kishte shumë ëndrra për shtëpinë. Në 1992 solli serra diellore izraelite nga Qipro dhe me to rriti fëmijët. Pastaj dolën ca nipa dhe ia hoqën se “zinin vend” dhe ai i sheh me dhimbsuri tubat e harkuar të alumintë që dergjen në tokë. Pastaj punoi edhe 7 vite në Greqi dhe më pas vajti te fëmijët në Amerikë, ku ndenji disa vite në Nju jork për t’u kthyer përfundimisht në vendlindje.

Kristofor dhe Vasilika Millios u martuan në Vuno dhe jetuan shumë vite në Everett, në veri të Bostonit. I ati i Kristoforit ishte ndër të parët emigrantë në SHBA. U kthye në Shqipëri që të merrte me vete familjarët dhe të afërmit, por e zuri Lufta e Dytë Botërore dhe mbeti këtu. Burrë e grua shkuan atje që në vitin 1992, bënë çdo punë, jetuan, martuan vajzën atje dhe vendosën të ktheheshin.

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të

– Gruaja nuk donte se kishte hallin e vajzës dhe mbesës që po i linte vetëm në Boston, por e binda unë, – thotë Kristofori.

– Po atje është mirë për ju si moshë e tretë, për kujdesin shëndetësor. Këtu s’të prek njeri me dorë dhe vdes për pako gjë, – i them.

– Le të vdes këtu, për të vdekur kam, njëlloj është,- thotë Kristofori, tashmë në moshë të thyer dhe në perëndim të një brezi që shumicën e jetës e kaloi në punë.

Ai është nip i të famshmit Zaho Koka, që u bë legjendë në kohën e luftës për dashurinë e tij për Ramize Gjebrenë. Historia thotë se 21-vjeçarja, që asokohe ishte përgjegjësja e rinisë së Brigadës së V-të Sulmuese, u pushkatua me ngut në 5 mars të vitit 1944, sepse u akuzua nga partia se ishte e dashura e fshehtë e komandantit të Batalionit të Brigadës së V-të, Zaho Koka, ndërsa ishte e fejuar me Nako Spirun. Një vit më pas, Gjykata e Lartë e deklaroi të pafajshme Ramize Gjebrenë dhe i dha titullin “Dëshmore e Kombit” vajzës nga Berati që ra pre e luftës së komunistëve për pushtet ende pa u çliruar vendi.

Ndërsa Zaho u vra më pas nga një ushtar gjerman, tregon nipi, më 8 qershor 1944, në Vuno, pranë altarit të kishës, dhe plumbi e mori në syrin e djathtë. Fatin e Zahos e e patën edhe dy vëllezërit e tjerë dhe nga familja rrojtën vetëm 3 motrat, njëra prej të cilave, nëna e tij.

Biseda me Kristoforin bëhet te semafori i famshëm i Vunoit, aty ku përplasen mallkimet e udhëtarëve në pikun e sezonit turistik. Poshtë nesh është një ndërtesë guri pa çati që dikur ishte punishte vere dhe ajo është “në rrugë”, ndaj edhe kalimi bëhet me një korsi. Rrugën e hapën italianët, ndërsa shqiptarët pas 8 dekadash vetëm e kanë shtruar me ca rrasa guri që kalamendin makinat.

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të

Kristofori kujton se në 2009-ën i tha ministrit të atëhershëm të Transporteve, që le të prishej ndërtesa e gurtë e të hapej rruga me dy korsi, por duhet t’i bënin shtëpinë lart mbi oborrin ku na ka mirëpritur sot. Por qeveria nuk pranoi dhe sot e shumë vite të shkuara aty bëhet vargu i makinave deri afër rrugës që çon në Jalë, me shfyrjet dhe zemërimin e shoferëve.

Dhe mallkimet për semaforin kanë nisur shpejt këtë pranverë, sepse dynjaja e turistëve vendas dhe më shumë të huaj është më e madhe se vjet.

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të

I zoti i bujtinës “Velco”, Bed&Breakfast, në të dalë të Himarës, rrugës për në Qeparo dhe 250 metra larg plazhit të Potamit, thotë se sezoni ka nisur shumë herët dhe me shumë njerëz. I ka të zëna të gjitha dhomat, por punën më të madhe e ka në restorant.

“Kam të punësuar 13 njerëz, bashkë me ne të familjes”- thotë i zoti i bujtinës, i cili, si gjithë himarjotët, lekët e parë i vuri nga emigrimi në Greqi.

Thotë se vijnë shumë punëtorë huaj, por ai preferon latinët dhe ka krijuar një lloj sigurie në biznes.

“Nuk kemi luajtur me çmimet siç bëjnë disa”- thotë 70-vjeçari që menaxhon nga restoranti një ditë të re pune.

Te një tjetër restorant në plazhin e Potamit, që ditën pret shumë turistë të huaj në ditën plot diell dhe shi të të shtunës, menunë ta sjell një vajzë indiane, një tjetër është pak më tej dhe të tjerë punojnë në kuzhinë.

“Oborret që flasin” me shpirtin dhe shijen unike të

Është shumë vështirë për punëtorë edhe sivjet. Pronari i restorantit thotë se zgjidhja është gjetur duke marrë punëtorë grekë nga ishujt e Greqisë.

Në atë moment, aty në restorantin e Potamit, mes pjatave me pene dhe disa karkalecë, supës së peshkut që në fakt është një lëng i trashë me shije të ngopur koncentrati, por pa tul peshku, birrës së importuar dhe shishes së ujit të sjellë nga stabilimenti rrëzë malit të Dajtit, kujton ditën oborr më oborr, pus më pus, bahçe më bahçe, mbushur me rrëfenja, halle, gëzime, batuta dhe plot shije që nuk e gjen as në hotele me pesë yje.

Dhurata Thanasi thotë se këto histori tregojnë jo vetëm shtëpitë, por edhe shpirtin e Bregut.

“Janë paksa larg nga ai lloj turizmi me të cilin jemi mësuar këto 25 vitet e fundit, sepse është njëlloj turizmi identitar, indipendent, siç ishin bregasit”.

E ka fjalën për ato momentet e paharrueshme të kaluara në “oborret që flasin”.

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

U vra nga partneri në Malin e Zi, 36-vjeçarja ishte me origjinë nga Lezha

Një ngjarje e rëndë u shënua një ditë më parë në Ulqin, Mali i Zi, ku…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Pjesë e grupit të ‘Visit të Pojës’, ekstradohet nga Italia Sueld Elezi!

U ekstradua nga Italia në Shqipëri, Sueld Elezi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GJKKO pasi i ka…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shëngjin/ Aksident në zonën e Kënallës, tre persona përfundojnë në spital

Një aksident rrugor është regjistruar në zonën e Kënallës në Shëngjin, ku janë përfshirë dy automjete, një…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Aksident i rëndë te “Bypass-i” i Fierit, 4 të plagosur nga përplasja e dy makinave, mes tyre dhe dy turistë!

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mesditën e kësaj të mërkure në bypass-in e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Burri në Ulqin vret partneren e tij nga Shqipëria dhe më pas i vë flakën shtëpisë

Bashkim Gashi nga Kosova, është arrestuar nën dyshimin se gjatë natës mes të martës dhe…

LEXO ME SHUME