Në kuadër të operacionit “Tispol”, për zbatimin e ligjshmërisë rrugore në rrugët dytësore dhe zonat rurale, gjatë 48 orëve të fundit, janë vënë në pranga 34 drejtues mjetesh, janë pezulluar 80 leje drejtimi dhe janë vendosur 2078 masa administrative.
Ky operacion ka pasur si qëllim rritjen e sigurisë në rrugë. Sipas policisë kontrollet janë përqëndruar për parandalimin e ngjarjeve rrugore që shkaktohen kryesisht nga drejtimi i mjeteve pas përdorimit të pijeve alkoolike apo në gjendje të de.hur, nga drejtimi i mjetit pa leje drejtimi, nga drejtimi i mjeteve pa rrip sigurimi, si dhe në ndëshkimin e drejtuesve që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Gjithashtu, vëmendje të veçantë policia rrugore po i kushton kontrollit teknik të mjetit dhe shpejtësisë tej normave të lejuara si dhe parakalimeve të gabuara që janë rrezik potencial për aksidente rrugore. Gjatë operacionit “Tispol”, në të gjithë vendin, u arrestuan 34 drejtues mjetesh, nga këta 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 30 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Duke përdorur aparatet drager janë evidentuar dhe u është pezulluar leja e drejtimit 44 drejtuesve të mjeteve, të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit si dhe janë vendosur 202 masa për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit. 302 masa administrative uniformat blu kanë vendosur për mospërdorim të rripit të sigurimit, 292 për parakalime të gabuara, 62 për mosvendosje të kaskës mbrojtës, ndërsa pjesa tjetër prej 877 masash administrative për shkelje të ndryshme.