Kanë kaluar pothuaj 30 vjet nga rrëzimi i diktaturës në Shqipëri dhe shumë pak është bërë deri sot për rehabilitimin e ish të përndjekurve politikë. Sot drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar. Kjo padrejtësi thellohet edhe më tej kur sheh se fondi i miratuar për dëmshpërblimin e kësaj shtrese shoqërore përgjysmohet nga viti në vit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka trajtuar në raportet e auditimit problematikat e shumta që ka pasur fondi për dëmshpërblimin e kësaj shtrese duke lënë rekomandime të shumta për përmirësimin e situatës. Sipas Institutit të ish të Përndjekurve Politikë gëzojnë statusin e ish të përndjekurit 42.772 persona, ndërsa sipas Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit kjo shifër pretendohet të jetë dy herë më e lartë. Shteti shqiptar i ka sot borxh kësaj shtrese rreth 32 miliard lekë. Por ky nuk është detyrimi final ndaj ish të përndjekurve politikë, pasi nga Ministria e Drejtësisë pretendohet se ka akoma rreth 300 dosje të kategorisë parësore dhe rreth 24,000 dosje të kategorisë joparësore, të cilat presin të shqyrtohen në rrugë administrative. Deri në vitin 2018 është miratuar dëmshpërblim për rreth 7.524 dosje çka na bën të kuptojmë se mund të flitet për trajtimin e më pak se 30% të totalit të dosjeve.
Procesi i shlyerjes së dëmshpërblimeve të miratuara ndër vite, ka ecur me hapa tejet të ngadaltë. Fondi i miratuar ndër vite që prej 2009 ka variuar në një interval nga 1.4 miliard lekë në 3.1 miliard lekë. Deri në fund të vitit 2018 shteti ka shlyer detyrimet e njohura ndaj kësaj shtrese në vlerën 18.45 miliard lekë. Ky fond ka pasur një vlerë mesatare miratimi dhe realizimi prej 2 miliard lekë. Nëse fondi i miratuar vjetor për ish të përndjekurit politikë do të mbante ritmin e viteve të fundit me një përllogaritje të thjeshtë kupton se, vetëm për likuidimin e detyrimit të njohur tashmë dhe të papaguar prej 32 miliardë lekë do të duhen 16 vjet.
Ndryshimet e herë pas hershme në disa nga nenet më të rëndësishme të ligjit nr. 9831 datë 11.12.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të pa shoqëruara me hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore përkatëse në periudha të gjata kohore, e kanë ndërlikuar edhe më tej këtë proces, duke krijuar konfuzion dhe vonesa të panevojshme.
Mungesa e bashkëveprimit institucional midis institucioneve shtetërore që janë të përfshira në implementimin e këtij ligji Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndërlikuar edhe më tej procesin, duke cenuar performancën e tij. Sot mungon një databazë qendrore e aksesueshme nga publiku dhe të interesuarit, e cila në kuadër të programeve të transparencës së këtyre institucioneve si dhe rritjes së performancës, do të duhej të përmbante informacion të plotë mbi statusin e dosjeve, llogaritjen e saktë të dëmshpërblimit, ndarjen e kësteve, mangësitë në dokumentacion, përfituesit dhe linjën e trashëgimisë etj.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë thotë se organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre. Duket se kontributi i këtyre institucioneve ka qenë minimal në përmbushjen e këtij detyrimi kushtetues. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky problem është shumë i madh, se mundësitë janë të kufizuara dhe buxheti i shtetit gjendet në pamundësi për ta shpërndarë detyrimin e njohur ndaj ish të përndjekurve brenda një viti buxhetor. Askush nuk e pret këtë, askush nuk pret që ky problem të zgjidhet sot, sepse është problem i krijuar në gjysmë shekulli diktaturë, i zvarritur për pothuaj 30 vjet me radhë pa një trajtim serioz dhe i shpërndarë në mënyrë të panevojshme në 3 ministri, të cilat jo gjithmonë gjejnë gjuhën e përbashkët me njëra tjetrën për të bërë më të mirën për këtë shtresë. Megjithatë gjithkush pret që nga viti në vit të përmirësohet diçka në të gjithë këtë rrëmujë institucionale dhe sociale.
Kontrolli i Lartë Shtetit, në Raportet e Zbatimit të Buxhetit të Shtetit, në kuadër të rivendosjes së drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror të kësaj shtrese, si dhe krijimit të kushteve favorizuese për ri-integrimin shoqëror të tyre, bazuar në lidhjen e fortë historike që ekziston midis pronave që privatizohen sot, me shtresën e ish të përndjekurve politikë ka rekomanduar dhe propozuar ndryshime ligjore qysh nga viti 2013, që krahas planifikimit buxhetor të përvitshëm për shpërndarje dëmshpërblimi për këtë shtresë, të shtohet edhe një burim i dytë financimi që vjen nga të ardhurat nga privatizimi, e konkretisht jo më pak se 20% e kësaj vlere.
KLSH ka rekomanduar gjithashtu indeksimin me normën e inflacionit të pagesave të këtij “borxhi pa interes”, që qeveria i ka ish të përndjekurve politikë, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e interesave të kësaj shtrese vulnerabël të shoqërisë shqiptare.
KLSH me qëllim rritjen e performancës së menaxhimit të fondit të ish të përndjekurve politikë ka rekomanduar që menaxhimi i të gjitha fazave të procesit të shpërndarjes së dëmshpërblimeve të përqendrohet në një institucion të vetëm, si dhe shumë rekomandime të tjera edhe më teknike.
Sot lajmi i keq nuk është vetëm se për këto rekomandime nuk është bërë asgjë, por se edhe vet fondi i miratuar për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, i cili ka qenë mesatarisht 2 miliard lekë në vitet e fundit, në buxhetin e vitit 2018 dhe 2019 pothuajse është përgjysmuar në rreth 1 miliard lekë, duke bërë që edhe vet borxhi i njohur prej rreth 32 miliard lekësh, të kërkojë një afat likuidimi prej 32 vjetësh, të mjaftueshme këto për mos rehabilitimin e kësaj shtrese shoqërore. Është e paqartë se mbi ç’bazë është bërë planifikimi buxhetor për këtë fond nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i rezultuar me përgjysmim fondi, kur vetëm gjatë vitit 2018 është miratuar dëmshpërblim me vendim të Këshillit të Ministrave për 142 dosje të reja. Një pjesë e shoqërisë së sotme, në përpjekje jo të sinqertë për të harruar të kaluarën, e konsideron si barrë faturën financiare që po dëmshpërblehet duke lënë në harresë kontributin e kësaj shtrese në të kaluarën si dhe pasojat aktuale të parikuperueshme të vendimmarrjes komuniste. Kjo shtresë ndeshet përditë me një indiferencë të dukshme dhe mungesë vullneti politik e shtetëror. Ky proces i keq menaxhuar ndër vite ka nevojë sot të trajtohet në thelb nga një frymë e re në qasjen ndaj rehabilitimit të ish të përndjekurve politikë të regjimit komunist, ka nevojë për koordinim eficent ndërmjet institucioneve shtetërore dhe për transparencë me publikun, dhe grupet e interesit.
Nga Xhesika Xhuveli* Audituese pranë KLSH /Agjensia e Lajmeve Sot News/
