Tregtia me Kinën zuri 6,9 për qind të volumit tregtar gjatë vitit 2019, duke u zgjeruar në raport me një vit më parë me 0.7 për qind. Tregtia dominohet nga importet, të cilat vitin e kaluar ishin 9.6 herë më të larta se eksportet.
Sipas të dhënave të INSTAT tregtia me Kinën gjatë vitit të kaluar u zgjerua kryesisht në drejtim të importeve, të cilat shënuan një vlerë prej 59,7 miliardë lekësh (458,4 mln euro) me një rritje me 11 për qind në raport me vitin 2018. Importet nga Kina janë rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit pas një rënieje me 2.6% në vitin 2017.
Kina është partneri i tretë i vendit sa u përket importeve, pas Italisë e Turqisë, me 7.4% të totalit. Sipas të dhënave të INSTAT importet dominohen nga pajisjet elektrike, hidrosanitarë, makineri të cilat përbejnë rreth 40 për qind të totalit me një vlerë mbi 23 miliardë lekë.
Artikujt të gizës dhe çelikut përbejnë edhe grupin e tretë më të importuar në vend nga Kina me një vlerë prej 4,1 miliardë lekësh gjatë vitit 2019, me rritje 70% në raport me një vit më parë.
