Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf u takua sot në Xhafzotaj pranë Durrësit me drejtorin e Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Allushi.
Allushi e informoi ambasadorin mbi aktivitetet e deritanishme të KQSH-së në ndihmën e dhënë në situatën e tërmetit. Ndihma e Kryqit të Kuq Gjerman, financuar nga Qeveria Federale Gjermane, sjell në Shqipëri 1000 sete artikujsh higjenikë për familjet që kanë humbur shtëpitë.
“Një mbështetje e mëtejshme është në fazën e përgatitjes dhe do të realizohet së shpejti. Këtu bëjnë pjesë ndër të tjera shërbime financiare mbështetëse direkte për njerëzit më të dëmtuar si dhe mbështetje në personel dhe ekspertizë për Kryqin e Kuq Shqiptar. Ndihma të tjera nga Gjermania përmes Mekanizmit të BE-së për Mbrojtjen Civile dhe ekipit të koordinimit të këtij mekanizmi (mes tyre edhe 3 gjermanë) janë në proces”, shprehet Zingraf .



