Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i janë drejtuar me një shkresë Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar anulimin e vendimit të Kuvendit, që rrëzoi dekretin e presidentit, “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Me një letër që e publikon më poshtë “Panorama”, e cila mban firmën e krerëve të grupeve parlamentare, Spaho dhe Vasili, akuzohet se me vendimin e marrë është shkelur hapur rregullorja e Kuvendit.
“Duke vepruar në këtë mënyrë, Kuvendi i Shqiperisë, duke shkelur Rregulloren, ka minuar bashkëjetësën normale të të gjitha grupimeve politike në Kuvend. Nëse opozitës i mohohet e drejta e saj kushtetuese për t’u njohur me cështjet që shqyrtohen e miratohen në Kuvend, sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit, atëherë ky veprim antikushtetues tenton të asgjësojë defacto rolin e opozitës në Parlament, që është jetik për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar”- thuhet në letër.
Më tej, krerët e grupeve parlamentare kërkojnë nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që:
Të konstatojë shkeljen e Rregullores së Kuvendit
Të kërkojë nga Kryetari i Kuvendit anulimin e vendimit të Kuvendit të datës 20 dhjetor 2018
Të kërkojë nga kryetari i Kuvendit shqyrtimin e miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për disa ndryshime dhe shtetas në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, sipas procedurave ligjore të paracaktuara nga Rregullorja e Kuvendit.
Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat ka bërë të qartë qëndrimin e opozitës për këtë rast.
Deklarata për media e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili
Jemi këtu së bashku në këtë komunikim përsëri lidhur me skandalin e jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë në 28 vjet të pluralizmit shqiptar, të votimit të falsifikuar dhe të mashtrimit të madh që ndodhi në Kuvendin e Shqipërisë në rrëzimin e dekretit të Presidentit që kishte lidhje me aktin më të turpshëm të qeverisë për uljen e tatimit mbi të ardhurat për oligarkët nga 15% në 8%. Edi Rama, i proklamuar si njeriu që do luftonte oligarkët shqiptarë dhe i cili do t`i bënte ata të paguanin më shumë, miratoi një ligj i cili ua ulte atyre gjysmë përgjysmë dhe i hiqte buxhetit të shtetit dhe financave të shtetit dhjetëra milionë euro, euro të cilat mund të përdoreshin për të zgjidhur problemet kritike shumë serioze dhe ç’njerëzore që me të cilat përballen studentët me kushtet e tyre të jetesës dhe të mësimit, por përkundrazi, zgjodhi tua bëj dhuratë atyre oligarkëve. Ju ftoj edhe njëherë që së bashku të ndjekim në pak sekonda se çfarë deklaronte Edi Rama, jo më larg se 7 muaj më parë lidhur me këtë çështje. Ju lutem ndiqeni pak sekonda deklaratën e Ramës 7 muaj më parë.
Lidhur me këtë skandal të konsumuar në Parlamentin e Shqipërisë, opozita kërkoi edhe në seancën plenare e datës 21, anulimin e menjëhershëm të këtij votimi dhe sot unë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, z. Edmond Spaho, jemi drejtuar me një letër shumë të qartë, ku i kërkojmë kryetarit të kuvendit të Shqipërisë anulimin e menjëhershëm të këtij votimi, votim i një dekreti, i cili ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për faktin se po bëhej një ulje krejtësisht e pajustifikueshme,e paligjshme që e kthente kryeministrin dhe Parlamentin thjesht dhe vetëm në argatë të oligarkëve, por njëherazi sepse ky dekret evidentonte dy shkelje madhore të Kushtetutës të nenin 155 të saj, që i jepte ligjit fuqi prapavepruese. Pra, i vinte në kondita krejtësisht të pabarabarta biznesmenët dhe njerëzit e biznesit, pasi ata që kishin shpërndarë dividendin do kishin paguar tashmë 15%, ndërsa oligarkëve, të cilët u bëri dhuratë, do paguanin pikërisht gjysmën e tyre dhe do kursenin dhjetëra milionë euro, të cilat do t`i ndanin sërish gojarisht me qeverinë e kusarëve. Njëherazi, Presidenti kishte zbuluar edhe një tjetër shkelje Kushtetute për hyrjen në fuqi të ligjit, pasi këta me ngutin e tyre të jashtëzakonshëm donin që ky ligj të hynte në fuqi që në 1 janar, në mënyrë që të rrëmbenin sa më shpejt paratë të cilat kishin negociuar së bashku për ti rrëmbyer. Jemi qartësisht në kushtet e një uzurpimi të parlamentit në mënyrë të turpshme, pasi qytetarët duhet të dinë që dekreti i Presidentit të Republikës ka arritur në 12:30 në zyrat e Kuvendit, në orën 7 në mënyrë hajdutshe dhe si hajna të vërtetë në një nga zgëqet e sallave të Kuvendit janë mbledhur komisioni përkatës duke mos ftuar as përfaqësues të Presidencës të cilët kishin prodhuar dekretin dhe në orën 11 të darkës, përsëri në mënyrë hajdutshe dhe fshehurazi pa njoftuar dhe pa miratuar asgjë në seancën plenare siç është rregulli, duke shkelur çdo normë dhe ligj që rregullon veprimtarinë e Parlamentit kaluan këtë akt të turpshëm brenda më pak se 12 orë. Këtu jemi në një situatë të paprecedentë të cilën ne do ta ndjekim, jo vetëm kaq por edhe Prokurorinë Shqiptare, pasi me këto veprime janë konsumuar dy vepra penale shumë të rënda, si element të shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit të paligjshëm mbi punonjësit për të realizuar pikërisht për mendimin tim dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të gjithë opozitës shqiptare këtë votim kriminal, pasi përfundimisht e ktheu sallën e kuvendit në një paradhomë të pisët të oligarkëve, shkatërroi Parlamentin, shkatërroi procedurat, dhunoi Kushtetutën dhe përfundimisht Shqipëria me aktin e ditës së premte, mund të konsiderohet një Republikë Parlamentare pa Parlament, pasi një Parlament që funksionon në kushtet e banditizmit, ku brenda 11-12 orëve në shkelje të çdo rregulli rrëzon akte, bën votime të paligjshme, për votime të cilat minimumi i detyrimeve parlamentare është që 48 orë para duhet të depozitoheshin dhe çdo deputet do kishte mundësinë të njihej me të, të diskutonte, të votonte, të ngrinte problemet e veta dhe e gjithë kjo bëhet vetëm dhe vetëm që oligarkët në datën e caktuar të rrëmbejnë paratë dhe po në atë datë hajdutët e qeverisë të marrin peshqeshin e tyre të majmë për këtë çështje. Ndaj, të gjithë qytetarët shqiptar me këtë akt të fundit kuptojnë më së miri arsyet se pse opozita ka ndërtuar një marrëdhënie të kushtëzuar me këtë Parlament të kapur dhe të dorëzuar në duart e krimit dhe oligarkëve, qëndresa jonë do të jete e palëkundur. Ne do t`i shkojmë të vërtetave deri në fund dhe personat përgjegjës do përgjigjen një për një këtu, në Prokurori. Do ta paguajnë deri në fund dhe me dënimet që parashikon edhe kodi përkatës i procedurës penale, në mënyrë që dënimi i tyre të bëhet një shembull për këdo që do guxonte të dhunonte procedurat e shtetit, të dhunonte Kushtetutën, të dhunonte rregullat e funksionimit të Parlamentit në një vend demokratik.