Dy stërgjyshër nga Mirdita janë kthyer në ‘personazhet e momentit’ në vend, pasi në moshën 94-vjeç (gruaja) dhe 90-vjeç (burri), kanë arritur të fitojnë betejën me virusin Covid-19. Të dy ndodhen në gjendje mjaft të mirë shëndetësore dhe tashmë pas kurimit anti-Covid 1 mujor në shtëpi, i janë kthyer punëve të tyre të përditshme.
Ata jetojnë në fshatin Prosek të Mirditës dhe kanë sëbashku 8 fëmijë. Kola dhe Mrika kanë treguar se koronavirusin e kanë kaluar duke ngrënë ushqime të shëndetshme. “Mua familja më ka vendosur dietë. Ditën e parë që më ka kap sëmundja dhe 60 ditë rrjesht më ka vendos dietë. Tre herë në ditë unë kam ngrënë 3 lugë mjaltë, 3 limona dhe 3 portokallë. Duhet ajër. Duhet të ecësh. Kam bërë prova dhe shkoj 1 km e gjys duke ecur”,- ka thënë Kola në një emision televiziv.
Nga ana tjetër, 94-vjeçarja Mrika tregon se pavarësisht sëmundjes kafen dhe rakinë nuk i ka ndarë asnjë ditë. “Për zotin po ta them si as re, as bijë, as djalë, izmetin që ma ka bërë ky asnjë njeri tjetër”,- tha Mrika. Fëmijët u kanë qëndruar pranë deri sa ata kaluan sëmundjen e rëndë dhe fatmirësisht tani ndihen mirë dhe pavarësisht moshës vazhdojnë të bëjnë punë të përditshme. Së shpejti pritet që të festojnë sëbashku 100 vjetorin e lindjes dhe 80 vjetorin e martesës së tyre.

