Kisha Katolike në SHBA është zhytur edhe më thellë në krizë, pasi së fundmi janë zbuluar dëshmi të reja të abuzimit seksual të klerikëve ndaj të miturve.
Dëshmia e fundit e përmasave të mëdha u zbulua të enjten në një raport ekskluziv të Associated Press (AP), e cila tha se rreth 50 dioqeza dhe urdhra fetarë kanë zbuluar publikisht emrat e më shumë se 1.000 priftërinjve dhe të tjerëve të akuzuar për abuzime seksuale me fëmijë. Zhvillimi vjen pas raportit të jurisë së madhe të Pensilvanisë gushtin e kaluar, ndërkohë që 55 organizime të tjera fetare planifikojnë të bëjnë të njëjtën gjë në muajt e ardhshëm. Lista më e madhe e emrave erdhi nga Provinca Perëndimore e Jezuitëve, urdhër fetar që përfshin nëntë shtete amerikane perëndimore, i cili identifikoi 111 priftërinj. AP tha se kanë gjetur gjithashtu se “rreth 20 hetime lokale, shtetërore ose federale, qoftë penale apo civile, janë nisur që nga publikimi i gjetjeve të jurisë së madhe”.
