Një nënë e re italiane ka lënë dyert e spitalit italian në rajonin e Lombardisë pas trajtimit me plazmaterapi, me pjesën e lëngët të gjakut të dhuruar nga pacientët e shëruar nga Covid-19. Ajo është nga rastet e rralla në botë që i nënshtrohet terapisë, edhe pse shtatzënë. Një grua shtatzënë në Itali e ka mposhtur koronavirusin falë trajtimit me plazmën e gjakut të marrë nga pacientë të shëruar më parë nga infeksioni, duke u bërë nga rastet e para të suksesshme në botë.
28-vjeçarja, Patricia Vinçenci, u largua këtë javë nga dhoma e spitalit pasi qëndronte e shtruar prej dy javësh me simptoma të rënduara të virusit. Nëna e re nga qyteti lombardez i Montovës tha se terapia me plazmë i dha asaj jetë të re, prandaj edhe vajzën e dytë që pret të lindë do e quajë Beatriçe Vitoria, në emër të fitores së betejës më sëmundjen infektive.
Doktorët italianë menduan të shfrytëzojnë plazmaterapinë për të evituar komplikacionet dhe për të mbrojtur jetën e fetusit. Sipas Spitalit të Pneumonologjisë, 28-vjeçares Vinçenci për këto arsye iu refuzua trajtimi me respiratorë ndërsa pas injektimit të plazmës, përmirësimi i shëndetit të saj ishte i dukshëm.
Në spitalin e Mantovës janë kuruar deri tani 24 të sëmurë më plazmën e dhuruar nga pacientë tashmë të shëruar nga koronavirusi. Praktika e plazmaterapisë përdoret që nga vitet 1800, thonë profesionistët italianë, por ende janë në pritje të rezultateve për Covid-19 pasi është herët për të vërtetuar sukseset e deritanishme.
Plazma e gjakut me antitrupat kundër pandemisë është konsideruar si lëngu i artë dhe po përdoret në shumë spitale të botës. Literatura mjekësore shpjegon se dhuruesit e gjakut që e kanë kaluar një herë koronavirusin mund të japin deri 400 mililitër plazmë, sasi e cila do të mjaftonte për të trajtuar dy pacientë në rrezik për jetën.