Në territorin e qarkut të Vlorës vijon shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë dhe të moshuarit. Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha për ATSH-në se “nga grupet e patronazhimit të bashkive është afruar vetëm dje asistencë me pako ushqimore 348 familjeve në nevojë dhe pensionistëve”. Sipas tij, në të gjitha bashkitë e qarkut të Vlorës, Delvinë, Himarë Selenicë, Sarandë, Konispol, Vlorë dhe Finiq do të vijojë shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë dhe të moshuarit.
“Në kuadër të masave ndaj COVID-19, kemi ngritur grupin e strukturave monitoruese, i përbërë nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Inspektorati i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria Rajonale e Tatimeve, Drejtoria Vendore e Policisë, Policia Bashkiake, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Është vendosur ndarja e grupeve të punës ndërinstitucional për qarkun Vlorë sipas target grupit të subjekteve, të cilët kanë dalë në terren sipas ndarjes së zonave policore”, – tha Mamaj. Prefekti u shpreh se “në qarkun Vlorë kemi 5 ‘zona të gjelbra’ dhe dy ‘zona gri’, përkatësisht i kemi të ndara në 10 grupe monitorimi për bashkitë Vlorë-Selenicë-Himarë dhe 3 grupe për bashkitë Sarandë-Finiq-Delvinë-Konispol”.