Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të artistit dhe intelektualit të njohur Maks Velo.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Presidentit shprehet se ndarja nga jeta e Maks Velos është një lajm i trishtueshëm. Ai vlerëson kontributin e tij të spikatur në art dhe arkitekturë, por dhe qëndrimet e tij në mbrojtje të interesit publik.
“Ndarja nga jeta e Maks Velos është një lajm i trishtueshëm. Si një prej figurave më novatore të artit shqiptar, simbol i antikonformizmit dhe lirisë së mendimit, piktor e arkitekt i shquar që luftonte pakompromis transformimet e shfrenuara urbane, intelektual aktiv që jetoi dy epoka duke provuar vuajtjet e burgjeve të diktaturës, shkrimtar e studiues i njohur, kjo ikje e Tij le pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare. Ngushëllime të afërmve, bashkëpunëtorëve, miqve e dashamirësve të shumtë! Maks Velo dhe zëri i Tij kritik do t’i mungojë në veçanti mbrojtjes së interesit publik në këtë periudhë të brishtë institucionale dhe demokratike”,– shprehet Presidenti Meta në mesazhin e tij.
Kush ishte Maks Velo: Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit.
Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg. Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj.
r