Kryeministri Rama ka deklaruar se 9 kushtet që Gjermania vendosi për hapjen e negociatave për Shqipërinë si në “favorin tonë”, pasi sipas tij me arritjen e këtyre kushteve, Shqipëria do të hapë negociatat. Rama i ka cilësuar kushtet si normale, duke shtuar se rruga drejt BE-së do të jetë e mbushur me të tilla dhe se ato të vendosura nga Gjermania i bëjnë mirë vendit.
“Së pari është qeveria gjermane që ka marrë nga shumica në Bundestag një dritë jeshile për të shkuar në Këshillin Europian me një “PO” për negociatat me Shqipërinë, çelja do të thotë një proces i gjatë përmbushjesh kushtesh, dhe kjo është normale. Në rrugën tona pas çeljes së negociatave, ne do na duhet të përmbushim qindra kushte në çdo aspekt, dhe këto janë në të mirën tonë. Sa u përket 9 kushteve të vendosura, janë kushte që i bëjnë mirë dhe i duhen vendit. Kjo është e mira e negociatave… nuk janë për ta marrë Shqipërinë dhe për ta çuar diku tjetër, por të ta bërë Shqipërinë europiane këtu ku është.
Unë jam shumë i inkurajuar për këtë vendim, dhe mirënjohës kancelares Merkel, e cila ishte forca për thyerjen e kësaj barriere në Bundestag. Sikundër mirëkuptoj dhe ata që kanë votuar kundër, do t’ua mbushim dhe atyre mendjen hap pas hapi”, tha Rama ndër të tjera.
