Categories Lajme

Rama mesazh për ndarjen nga jeta të ish-basketbollistit: Miku dhe trajneri im. Nuk e besoj që s’je më

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-basketbollistit Arben Fagu. Me anë të një statusi në rrjetet sociale Rama shkruan se me iken e tij është zbrazur mesi i fushës së kujtimeve të kohës kur ai stërviste dhe drejtonte skuadrën ku vetë Rama bënte pjesë.

Ai shprehet se sot kujtim me mallëngjim të qeshurën e tij prej njeriu të çiltër dhe nuk e beson dot që nuk është më.” Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe e dhe gjithmonë pa kursim për sportin e për shokët, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar!”. “Me ikjen e Ben Fagut është zbrazur mesi i fushës së kujtimeve të kohës kur ai stërviste dhe drejtonte skuadrën tonë nga stoli, ku kishte zënë vendin e legjendarit të Dinamos e të Kombëtares kuqezi të basketbollit, profesorit Feti Borova.

Beni ishte vëllai i vogël i diktatorit kuqezi të parketit shqiptar, Gim Fagut, i cili e ktheu Partizanin në makinerinë shtypëse të kampionateve tona dhe magjepsi çdo kundërshtar e trainer të huaj, që vinte nga bota tjetër për t’u ndeshur me të kuqtë e Tiranës, në eliminatoret e kupës së kampionëve të Europës.

Hija e Gimit ishte shtypëse për këdo që luante në kampionatin tonë të basketbollit, po sidomos për Benin, i cili ishte i dënuar të krahasohej gjithnjë me të vëllain e paarritshëm. Një dëmtim në gju e shpëtoi në njëfarë mënyre nga presioni i atij krahasimi, duke e nxjerrë nga fusha e duke e çuar drejt stolit të trainerit, në anën tjetër të frontit të luftës me tiraninë e Partizanit, kur fronin e kishte trashëguar nga Gim Fagu, një uzurpator i të katër anëve të fushës, Gaz Çaçi!

Ben Fagu solli tek Dinamo të gjithë fuqinë e ambicies, vullnetit dhe ndershmërisë që i kishte bërë vëllezërit Fagu, djemtë e të mirënjohurit për lartësinë burrërore, Besim Fagu, shembëlltyra të dinjitetit e të respektit në bashkësinë sportive e sportdashëse të Shqipërisë. Beni solli në skuadër entuziazëm dhe dëshirë të madhe për ta përmbysur më në fund diktaturën e Partizanit – çka nuk arritëm ta realizonim edhe pse i shkuam shumë afër.

Stërvitjet u bënë shumë intensive dhe marrëdhëniet në skuadër shumë të mira, falë edhe qasjes së Benit, që nxehej shpesh brenda perimetrit të fushës, po çelej e bëhej një shok i dashur sapo binte bilbili i përfundimit të stërvitjes.

Sot kujtoj me mallëngjim pikërisht të qeshurën e tij prej njeriu tejet të çiltër dhe nuk e besoj dot që Ben Fagu s’është më!

As e imagjinoj asfare hiç dot dhimbjen e Gimit e të krejt asaj familjeje të dinjitetshme e shumë të respektuar për mua, por duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera për mikun e trainerin tim të paharruar, lutem që prehja e tij të jetë e paqtë dhe kujtimi i tij qoftë gjithnjë i paharrueshëm! Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe e dhe gjithmonë pa kursim për sportin e për shokët, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar!”, shkruan Rama./mv.abcnews.al

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Gjirokastër, humb jetën 15-vjeçari teksa po lahej në pishinë!

Një 15-vjeçar në Gjirokastër ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në një pishinë, në një…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shpërthim me tritol në Lezhë, një i plagosur

Shpërthim me tritol raportohet të ketë ndodhur paraditen e kësaj të mërkure në Lezhë. Mësohet…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shisnin armë zjarri e municione, goditet grupi kriminal në Tiranë!

4 persona janë arrestuar në Tiranë si pjesë e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, ndërsa dy…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vajza vrau me thikë nënën, mjekja vulosi kartelën ‘vdekje natyrale’, bluzat e bardha në protestë

Mjekja e familjes, në qendrën shëndetësore të Mamurrasit, Anila Lleshi po hetohet nga Prokuroria e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vrau të riun pas sherrit të kalçetos, ja kush është 39-vjeçari i dyshuar, Llanaj! RENEA dhe policia i vihen nga pas

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me vrasjen që ndodhi paraditen e sotme në…

LEXO ME SHUME