Rama i uron shqiptarëve që kaluan në anën tjetër të kufirit një qetësim sa më të shpejtë dhe rifillim normal të jetës së përditshme. Edi Rama ka falenderuar ata që kontribuan për zgjidhjen e ngercit të krijuar prej ditësh në pikën kufitare të Kakavijës. Kreu i qeverisë e ka edhe një këshillë ndaj tyre, që të ruajnë veten dhe të tjerët nga virusi i rrezikshëm Covid-19.
“FALEMINDERIT të gjithë atyre që kontribuan për zgjidhjen e ngërçit të rëndë në pikën kufitare të Kakavisë; qytetarëve në radhë të parë, që në shumicën dërrmuese patën mirëkuptim e durim me gjithë hallin e madh;
Emergjencave Civile, forcave të ushtrisë e të policisë, trupës së Urgjencës Shëndetësore dhe strukturave vendore, që u gjendën pranë njerëzve me përkushtim e pa orar; të gjithë atyre në vendin fqinj që u përfshinë pa rezervë në përpjekjen për ta lehtësuar situatën, në kushtet kur regjimi i ri kufitar e bënte punën për zgjidhjen e saj tejet të vështirë. U uroj nga zemra një qetësim sa më të shpejtë dhe rifillim normal të jetës së përditshme, të gjithë bashkëqytetarëve që e hoqën atë siklet të madh dhe u lutem të tjerëve në vijim, të ndjekin me vëmendje kriteret e përcaktuara në shtetin fqinj për kalimin e kufirit, e të mos nisen pa u siguruar se mund ta kalojnë kufirin pa siklete të ngjashme Rrugë të mbarë udhëtarëve të fundit dhe ruani veten e të tjerët nga virusi i rrezikshëm Covid19″, shkruan Rama

