Kryeministri Rama ka dhënë një intervistë në Forumin Convoco në Salzburg nga ku është deklaruar se politika shqiptare ka nevojë të piqet, pasi as për kohën nuk bie dakort.
‘Ne kemi një jetë shumë të vështirë politike. Besoj fort se cilësia e demokracisë, e të bashkëjetuarit nuk varet nga sa shumë biem dakort, por nga mënyra sesi nuk biem dakort. Ne nuk biem dot dakort as për kohën. Duhet të piqemi sepse demokracia nuk është e thjeshtë.”-tha Rama.
Kësisoj Rama ka “rënë dakort” këtë të dielë me një postim që bëri Presidenti Meta, i cili çoi një mesazh të qartë politikës e në veçanti qeverisjes përmes një fotoje ku dukeshin qartë disa domate të papjekura.

Më tutje kryeministri ka folur në lidhje me protestat e mbajtura nga opozita si dhe mbi prishjen e veprës së artit që u thye nga protestuesit. Rama tha se kërpudha do të ndërtohet sërish, por kësaj here më e lartë.
Rama: Para se të bëhesha kryeministër, gjithmonë thoja, nëse bëhem ndonjëherë kryeministër, kjo ndërtesa nuk do ketë gardhe, sepse ishte e rrethuar, dukej si burg, me gardh me ushtarë. Gjithmonë kam besuar se ndërtesat mbrohen me anë të bukurisë, jo gardheve. Hoqa gardhin dhe e hapa tërë katin e parë për popullin, e u bë ajo që sot është COD-i, kemi ekspozita, biblotekë publike, një sallë të vogël kinemaje ku fëmijët mund të vijnë, të shohin filmat e tyre, të diskutojnë, zhvillojmë edhe diskutime aty. Kam thënë që edhe protestuesit mund të vijnë ta përdorin atë pjesë falas, për të shtruar çështjen e tyre, e nëse duan, unë mund të shkoj, apo ministrat, për të folur me ta. Por protestuesit kanë një problem me diskutimin, sepse nëse debatojnë, nuk janë më protestues. Nuk është e thjeshtë, por është aty edhe për këtë qëllim. Por kërpudha e … që ishte në kopësht nuk i mbijetoi sulmit të protestuesve, sepse e thyen. E thyen dhe ishte e trishtë, por ishte edhe e vështirë t’i shpjegoje … që nuk ishte një protestë estetike, ishte politike. Ishte kundër meje, jo kundër kërpudhës. Nuk më kapën dot mua dhe kapën kërpudhën. Kërpudha u thye. Isha shumë i lumtur kur … më mori në telefon pas një muaji dhe më tha ‘kam një ide fantastike’. Sepse i thashë ‘duhet ta bëjmë prap. Do e bëjmë prap, por duhet ta ngremë 25% më lart, që kushdo që e prek ta dijë se do kthehet më e lartë. Kjo do i pengojë njerëzit që ta prishin kërpudhën, por nëse ia dalin, kërpudha do rritet. Më duket shumë e bukur, të mbijetosh me rritje e të reagosh duke u rikthyer, mezi pres kërpudhën që do jetë më e madhe tani, gjë që mund të nxisë protesta të tjera, por pastaj do e zmadhojmë më shumë, sepse jeta vazhdon.
