Në një rrëfim të rrallë dhe të pazakontë, kryeministri Edi Rama shfaqi sot për publikun përmes kamerës së “Opinion” mjediset e tij të punës në Kryeministri, ku prej 7 vite e gjysmë drejton qeverinë.Rama rrëfeu se “zyra ka ndryshuar nga koha e paraardhësit të tij në detyrë. Një nga objektet që të bie në sy në zyrën e Kryeministrit janë kravatat, për të cilat Rama thotë se “janë një bashkëpunim mes meje dhe shoqes sime të shkollës. Unë bëj vizatimet gjatë kohës që rri në tavolinë edhe ajo i kthen në kravata”.
Në një ekspozitor janë të vendosur një sërë objektesh me vlerë shpirtërore. “Në këtë ekspozitor është Legjioni i Nderit, si dhe një letër personale që më ka çuar Presidenti francez Macron, një letër e Renzit kur ishte Kryeministër, libri i Sarkozy me dedikim, disa disqe, si dhe disa dhurata. Ndryshe nga sa bënin të tjerët, unë dhuratat i protokolloj. Këtu janë një pjesë e dhuratave, pjesa tjetër janë nëpër korridore. Janë edhe poshtë kam bërë një hapësirë, që nuk është shfaqur ndonjëherë dhe tani është pothuajse e përfunduar”, – tha Rama.
Një portret i veçantë në zyrën e Kryeministri është edhe ai i Abraham Linkolnit. “Këtë portret e ka bërë një shoku im një artist bullgar me printer 3D dhe ky është libër me Twitter-a të Donald Trump”, tha Rama.
Por në ambientet e zyrës së tij, Kryeministri Rama ruan edhe një vizatim të djalit të tij të vogël, Zahos. Një kartolinë e ish-presidentit amerikan Barack Obama, që siç u shpreh Rama “ma ka shkruar me dorë”.
Për printimet e mureve të zyrës, Kryeministri Rama tha se janë piktura që lindin gjatë punës sepse “unë gjatë gjithë kohës zhgarravis kur jam në punë”. “Më pas këto vizatime kalohen ne printer dhe nga kompjuteri kthehen në letër murale. Kjo është letra e parë murale, në mos gabohem kam bërë edhe tre të tjera, dy të ekspozuara në Gjermani dhe një në Bienalen e Venecias”, u shpreh Rama.
“Vizatimet e mia ndodhin në kohën kur unë jam totalisht i fokusuar tek bashkëbiseduesit, por ndërkohë dora vizaton. Sipas një studimi njerëzit që shkarravisin gjatë një bashkëbisedimi kanë një ulje të stresit deri në 30% dhe një rritje të dëgjueshmërisë së gjësë në 50%”, tha Kryeministri.
Një vend të zyrën e Kryeministrit ka edhe bluza e futbollistit Lorik Cana, në ndeshjen e tij të fundit kur ka lënë futbollin të cilën ia ka dhuruar. Një nga objektet më të veçanta në zyrën e Kryeministrit është edhe shqiponja e derdhur në Bronx e bërë nga një ish-student i tij, që ndodhet në Greqi. Ndërsa tavolina është dizenjuar nga Joe Ponti.
“Joe Ponti është babai i dizajnit modern. Këto dy karrike i kam shpëtuar me ndihmën e Erion Braçes nga një kamion që po i merrte nga depoja e Parlamentit për t’i çuar nuk e di se ku”, – tha Rama. Në zyrën e Kryeministrit nuk mungon edhe koshi i basketbollit, që sipas tij është vetëm simbolik. Një tjetër objekt i veçantë që ruhet në Kryeministri është edhe përkrenarja e Pirros. Kryeministri tregon se në atë zyrë ka hyrë kur atë e drejtonte Fatos Nano, ndërsa e cilësoi shumë të bukur raportin mes tyre sot, pavarësisht përplasjeve në të shkuarën.
“Të them të drejtën raportin sot mund ta quaj të bukur. Komunikojmë jo intensivisht, hera -herës, por ajo që është pjesa e bukur e raportit është që ai ka qenë këtu dhe ai e di edhe fizikisht se çfarë do të thotë presion i kësaj zyre. Dhe mbi të gjitha ai dhe besoj dhe të tjerët që kanë qenë këtu, e dinë se ç’është vetmia në këtë zyrë. Kjo zyrë ka shumë vetmi. Njerëzit mendojnë se kur hipën në majë, je i rrethuar me një mori njerëzish. Në fakt, në majë je më vetëm se asnjëherë tjetër. Sepse kur vjen koha e momenti i vendimeve të vështira, je komplet vetëm. Për këtë arsye, eksperienca, ndjesia fizike e të jetuarit në këtë zyrë, sfidat, sfilitjet, përplasjet edhe ajo që kemi kaluar me njëri-tjetrin na e kanë bërë këtë raport shumë të bukur”, tha Rama.
