Dikur një rrugë e rrezikshme për automjetet, e rrethuar nga ndërtime pa leje, sot kthesa e Dhërmiut ka marrë një pamje krejtësisht moderne.
Kryeministri Edi Rama poston fotot në faqen e tij në Facebook të këtij transformimi dhe thotë se rruga tashmë është rregulluar tërësisht, shtrati i përroit mbi të cilin dikur ngrihej një hotel 5 katësh pa leje, është sistemuar, si dhe është ndërtuar një ballkon, për të adhuruar pamjen.
“Kthesa e famshme e Dhërmiut, ku pasi u prishën ndërtimet pa leje mbi përrua e u rindërtua rruga e bërë copë, ka përfunduar edhe sistemimi i shtratit të përroit, janë pastruar e sistemuar shtigjet e këmbësorëve për turistët që duan të ecin teposhtë dhe është ndërtuar një shesh me belvedere, për të ndaluar e admiruar panoramën magjike që mes dy kodrave e thith syrin drejt pafundësisë ku qielli puthet me detin,” shkuran Rama.

