Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria mund ta zgjedhë Presidentin nga populli, nëse do të ndryshojë ngrehinën e vetë Kushtetuese dhe për këtë nevojitet referendum popullor.
Rama tha se “ka pasur dhe ka aktualisht një debat mbi pse-në e moszgjedhjes së Presidentit nga populli dhe ripërsëritjen e të njëjtit proces, që sidoqoftë mbetet një proces i kufizuar në kornizën e veprimtarisë së partive politike në Kuvend”.
“Natyrisht që është një temë e cila meriton të diskutohet. Në të gjitha rastet në kushtet kur jemi Presidentin do ta zgjedhë Kuvendi, por ne kemi detyrimin që t’ja japim njerëzve mundësinë që të shprehen për këtë temë, natyrisht duke përcaktuar në të njëjtën kohë disa piketa”, tha Rama.
Sipas tij, “Shqipëria është një Republikë e pastër parlamentare dhe si e tillë nuk e mban dot në të gjithë ngrehinën e vetë institucionale dhe Kushtetuese një President të zgjedhur nga populli, me këto atribute dhe kompetenca që figura e kreut të shtetit ka sot”.
Por, Rama theksoi se “patjetër që Shqipëria mund ta zgjedhë një President nga populli, nëse do të ndryshojë ngrehinën e vetë Kushtetuese dhe do t’i japë Presidentit disa instrumente që e bëjnë një figurë të zgjedhur nga populli, një figurë që ka peshën dhe zërin e vetë, bazuar në atributet që jep Kushtetuta”.
“Një President që nuk bëhet qesharak dhe i rrezikshëm duke rrëshqitur jashtë binarëve të Kushtetutës, siç ndodhi me Ilir Metën, i cili shkeli Kushtetutën. Këtë gjë që e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese duke konfirmuar drejtësinë e Kuvendit të Shqipërisë, por duke e lënë në mes të rrugës vendimin e vetë pasi e konsideroi shkeljen jomjaftueshmërisht të rëndë për ta shkarkuar Presidentin. Se çfarë duhet të bënte tjetër Ilir Meta që të shkarkohej kjo mbetet një enigmë që nuk do ta mësojmë kurrë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “ajo që duhet në rast se do të shkojmë në zgjedhjen e Presidentit nga populli është një diskutim i gjerë se çfarë do të thotë kjo në thelb”.
“Do të thotë ndryshime të tjera të Kushtetutës. Kjo do të jetë një temë për Këshillimin e ardhshëm Kombëtar dhe temë për referendum popullor”, shtoi ai.
