Categories Lajme

Rama uron Edi Hilën: Ylli më i shndritshëm i pikturës shqiptare

Kryeministri Edi Rama uroi sot në ditën e lindjes Edi Hilën, të cilin e cilësoi si yllin më të shndritshëm të pikturës shqiptare.

“Edi Hila është padyshim ylli më i shndritshëm i pikturës shqiptare, që ka përshkuar një trajektore të hatashme nga shkëlqimi i parë, gati 50 vjet të shkuara, kur errësira e kohës shqiptare e gllabëroi sapo u shfaq dhe e degdisi në honet e persekutimit absurd, e më vonë, fatkeqësisht shumë më vonë për jetën e një vdekëtari, tek shkëlqimi i madh i dekadës së fundit, kur piktura e tij është shpërfaqur botërisht me të gjithë elegancën e vet magjepsëse, duke u bërë pjesë e thesarit europian të arteve të bukura”, tha Rama.

“Kam pasur fatin ta njoh e të jem afër Edit në periudhën e rëndë mes të dy shkëlqimeve, kur ai jetonte dyzimin torturues mes të jashtmes e të brendshmes, mes shtëpisë së vjetër dykatëshe me shkallë rënkuese druri në rrugën e Kavajës dhe studios së ftohtë në anën tjetër të rrugës; mes vizatimeve të fshehta në kuzhinën e katit të dytë, ku flitej me zë të ulët në ajrin e mbushur me hijet e bukura të Rinascimentos Italiane dhe pikturave të ndrydhura për shfaqjet vjetore në mexhelisin e mbushur me hijet survejuese të shoqërisë komuniste; mes bisedave të tij pedagogjike për punët e mia, që asokohe studioja në Liceun Artistik e më pas në Akademinë e Arteve dhe bashkëbisedimeve tona deri pas mesnate për lirinë e ndaluar, artin, kulturën, filmin, letërsinë në liri e në diktaturë…”, shtoi Rama.

Rama tha se “pa Edi Hilën dhe Danish Jukniun, profesorin tonë të përbashkët, unë nuk do t’i kisha marrë dot qysh asokohe kodet e fshehta të leximit e të përkthimit në telajo të botës siç ishte por nuk dukej, po kjo është një histori tjetër”.

“Ai ishte asokohe autori i tablosë së mallkuar, “Mbjellja e Pemëve”, e cila qëndroi e varrosur në bodrumin e Galerisë së Arteve, deri kur radha e varrimit i erdhi vetë diktaturës së proletariatit dhe bashkë me daljen në dritë të asaj pikture, që sot e gjithë ditën i qëndron kohës si zanafilla e gjithçkaje pasoi dekada më vonë, nisën të çelin nën dritën e lirisë edhe filizat e kopshtit piktorik të Edi Hilës. Sot ai është kopshti më i bukur i pikturës shqiptare, një parajsë me kujtimet e mbeturinat e ferrit, ku sipërfaqet e peneluara janë si një pluhur i përzishëm yjesh që i mbështjell kohët dhe hijet e tyre, në kuadrate pa korniza, shëmbëlltyra të vdekshmërisë së përshkruar me mall e mallëngjim nga një shpirt kalimtar, që vdes prej kuriozitetit teksa ndahet ngadalë prej trupit të radhës”, tha Rama.

Duke i uruar Edi Hilës ditën e lindjes, Kryeministri e falënderoi si gjithnjë me mirënjohje që ekziston dhe uroi që jeta e mundimshme e tij prej kopshtari kujtimesh të dhimbshme e vegimesh magjike, të jetë e mbushur në plot vite përpara me gëzimet fëminore të afirmimit botërisht të vlerës së çmuar të krijuar prej saj”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Horoskopi ditor për sot, e premte 12 qershor 2026

Dashi Te dashuruarit do kalojnë një dite paksa te vështirë. Duhet te tregoheni paksa me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Saranda kryeson listën e destinacioneve bregdetare më të lira në Evropë për verën 2026.

Saranda është renditur në krye të listës së katër destinacioneve bregdetare më të lira në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Pamjet nga Shkoza: Si tentoi 23-vjeçari grabitjen me pistoletë lodër

Policia ka publikuar pamjet, kur i riu me inicialet K.Y., 23 vjeç, tentoi të vjedhë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Korçë/ Përplasi me dashje një qen dhe u largua, policia shpall në kërkim drejtuesin e automjetit

Një video e publikuar në rrjetet sociale ka shkaktuar reagime të forta dhe zemërim në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

BE-ja shtrëngon rregullat për migracionin: Nga azili te kthimet, hyn në fuqi reforma e re

Që nga 12 qershori, në të gjithë Bashkimin Evropian ka hyrë plotësisht në fuqi Pakti…

LEXO ME SHUME