Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, një nga deputetët e Rilindjes që nuk ka kursyer kritikat në drejtim të Edi Ramës, pasi ky i fundit e largoi nga kabineti qeveritar, është caktuar si i dërguar i posacëm për OSBE-në.
Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të OSBE. Bushati kryeson listën e personave që gjatë këtij viti do të drejtojnë fusha të caktuara.
Sipas njoftimit, Bushati në cilësinë e të dërguarit të posaçëm do të trajtojë çështje dhe problematika të të gjitha fushave me të cilat kryesia mund të përvallet gjatë drejtimit të organizatës.
I dërguari i posaçëm është një risi e Presidencës Shqiptare të OSBE-së, pasi presidencat e shkuara nuk kanë pasur një pozicion të tillë.
Nuk dihen arsyet sepse Bushati është caktuar në një pozicion të tillë dhe nëse kjo ka lidhje me faktin se Edi Rama, i cili kryeson Presidencën e OSBE, mban edhe postin e Kryeministrit dhe atë të ministrit të Jashtëm, ndërkohë që Gent Cakaj mbetet “ministër në detyrë”. Po kështu nuk dihet nëse caktimi i Bushatit është një zgjedhje e Ramës, apo një imponim për të caktuar ish-ministrin e Jashtëm në një funksion të tillë.
